Kastrioti tre gola për tri pikë ndaj “baby” Tomorit. Ndreu: E merituam, pres garë të ndershme në fund

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 29, 2024 | 13:51

Kastrioti tre gola për tri pikë ndaj “baby” Tomorit. Ndreu: E merituam, pres garë të ndershme në fund

Beteja e “kalave” që u mbajt në Berat u fitua nga krutanët. Me fitoren 3-0 në Berat, Kastrioti ka hedhur një tjetër hap të sigurt në luftën për mbijetesë.

tomori kastrioti

Tomori luan bukur dhe vazhdon promovimin e futbollistëve të rinj, por për shkak të mungesës së eksperiencës e ka të pamundur që të përballojë krutanët, që shënuan 3 gola për tri pikë.

Ndeshja–  Kastrioti e nisi mbarë takimin, pasi që në minutën e tretë kalojnë në avantazh me mbrojtësin Doseh. Tomori përgjigjet me disa aksione të shpejta, por pa rezultat. Miqtë organizuan disa kundërsulme Çelën, Kapllanin dhe Hoxhën duke falur gola të sigurt. Goli i dytë erdhi në minutën e 34-t, Dejvid Kapllani me një goditje të fortë në kufijtë e zonës dyfishoi shifrat.

Me fitoren 2-0 të Kastriotit u mbyll pjesa e parë. Fraksioni i dytë është më i mirë për vendasit, ndërsa krutanët më shumë mënuan të administrojnë rezultatin. Te Tomori janë 7 lojtarë nga skuadra U-19. Duke pasur përballë një kundërshtar pa eksperiencë, krutanët gjejnë edhe golin e tretë në minutën e 86-të me Arapin, që hyri si zëvendësues. Në shifrat 3-0 për Kastriotin, që shkon në vendin e shtatë me 36 pikë, u mbyll takimi në Berat.

Droboniku- Pas ndeshjes, trajneri i Tomorit, Iken Droboniku, u shpreh: “Në kushtet tona dhe në fund të fundit të kampionatit, morali i ekipit është në rënie. Jemi munduar të luajmë si të barabartë me Kastriotin, edhe pse na u desh që të hedhim në fushë 7 lojtarë 17-19 vjeç, për t’i dhënë atyre kohën e nevojshme të aktivizimit. Vendosi eksperienca e skuadrës mike, të cilëve ju urojmë suksese. Ne do të punojmë që në dy javët e mbetura të fitojmë sa më shumë nga elementi i ri”.

 

 Ndreu: E merituam fitoren, pres garë të ndershme në fund

Kastrioti ka marrë një fitore me peshë ndaj Tomorit pa pretendime dhe me këtë trepikësh krutanët janë në pozicion komod, por duhen ende pikë për mbijetesën. Pas ndeshjes trajneri i Kastriotit, Ramadan Ndreu, për “Panorama Sport” u shpreh: “E merituam fitoren dhe për këtë jemi të kënaqur. E kishim vlerësuar maksimalisht kundërshtarin dhe mendoj se kemi dominuar në të gjitha drejtimet, pasi ishim të mirëvendosur në fushë. Mendoj se kjo ndeshje na dha në përfundim qetësinë e nevojshme, por edhe sigurinë e duhur për sa i përket mbijetesës. Për ta finalizuar atë duhet të kalojmë edhe dy “provimet” e mbetura, me Lushnjën dhe Korabin. Ajo që është ende shumë e rëndësishme në këtë fund kampionati, ka lidhje me garën e ndershme, të cilën shpresojmë të jetë e tillë deri në fund të garës, sepse këtë kërkojmë të gjithë”.

 Edi Spahiu- PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"