EKSKLUZIVE/ “Sedloski i ndryshoi tërësisht fytyrën ekipit nga ndeshjet e fundit”, Xhahysa: Vllaznia ka edhe 8 finale për sezonin (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 12, 2023 | 15:24

EKSKLUZIVE/ “Sedloski i ndryshoi tërësisht fytyrën ekipit nga ndeshjet e fundit”, Xhahysa: Vllaznia ka edhe 8 finale për sezonin (E PLOTË)

Altin Xhahysa, ish-futbollisti kampion me Vllazninë, ka folur për fitoren e fundit të kuqebluve. Ish-mesfushori sulmues ka vlerësuar shumë lojën dhe nivelin që paraqitën kuqeblutë në takimin ndaj Erzenit.xhahysa

Ai vlerësoi frymën që u ndie në skuadër me ardhjen e teknikut të ri. Xhahysa vlerësoi lojën që zhvilloi ekipi, por për të shkuar drejt arritjes së objektivave kuqebluve u duhet që të ta mbajnë këtë ritëm dhe të krijojnë vazhdimësi në rezultate. Këtë duhet ta bëjnë që në takimin e kësaj jave ndaj Kukësit.

Si e patë Vllazninë në takimin ndaj Erzenit?
Ishte një ndeshje, ku Vllaznia u shpreh në mënyrën më të mirë të mundshme. Për herë të parë këtë sezon mund të them se shikuam një Vllazni të vërtetë. Një skuadër sulmuese e ashtu siç e kërkon publiku shkodran.

Meritë kjo e trajnerit të ri?
Si për mirë dhe për keq kur ndryshon i mbetet atij që është në krye që të marrin si meritat e po ashtu edhe gabimet. Dua të vlerësoj trajnerin Sedloski, ku e pranoi që nuk ka “shkopin magjik”, por ia ndryshoi tërësisht fytyrën e Vllaznisë nga ndeshjet e fundit, por ka ndryshuar diçka në skuadër, pasi kjo u pa dukshëm.

Çfarë ndryshoi?
Ekipi në këtë takim, ndryshe nga ajo që shikuam në takimet e fundit, ndryshoi, jo vetëm në aspektin taktik dhe mënyrën se si u interpretua loja nga futbollistët, por edhe në aspektin moral. Pashë një Vllazni plot ego, dëshirë dhe grintë. Faktorë që të ndihmojnë shumë për të fituar një ndeshje, por edhe shumë të rëndësishëm në këtë periudhë. Pasi është fundi i kampionatit dhe çdo ndeshje është një finale më vete.

Besoni që skuadra do të vazhdojë në këtë mënyrë edhe në takimet e tjera duke ia nisur që nga takimi i radhës?
Uroj që kjo performancë të jetë e vazhdueshme. Ekipi të krijojë një balancë vazhdimësie që i ka munguar në këtë edicion. Por jam i sigurt që skuadra dhe stafi i ri do të arrijnë të përputhen në mënyrën më të mirë të mundshme. Unë jam optimist se nëse vazhdohet me këtë ritëm Vllaznia del fitimtare edhe në takimin ndaj Kukësit, pavarësisht se është një përballje shumë e vështirë për vetë pozitat, në të cilat ndodhet edhe skuadra e Kukësit.

E shihni brenda objektivave Vllazninë në fund të sezonit?
Unë kam ende besim se kjo skuadër mund të bëjë mirë deri në fundin e këtij sezoni. Për mua është brenda objektivave dhe objektivin minimal që kanë pasur arritjen e Kupave të Europës e shikoj të realizueshëm, pavarësisht se e kam thënë edhe herë të tjera se ky sezon për Vllazninë ka qenë plot me ulje e ngritje. Besoj, siç edhe e thashë, që në këto 8 takime të fundit të bëjnë më të mirën e mundshme dhe me ritmin që shfaqën ndaj Erzenit.

ADMIR URUÇI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"