EKSKLUZIVE/ Rrëfehet Prençi: Ky Skënderbe s’ka limite, ju tregoj sekretin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 5, 2024 | 20:52

EKSKLUZIVE/ Rrëfehet Prençi: Ky Skënderbe s’ka limite, ju tregoj sekretin

Fitorja me Laçin i jep vazhdimësi Skënderbeut dhe mbi të gjitha mban lart moralin e bardhekuqve në këtë fund të fazës së tretë. Për liderin e mbrojtjes korçare, Elvis Prençi, trepikëshi në transfertën kurbinase ishte shumë i rëndësishëm dhe konfirmon momentin fantastik që po kalon skuadra.

prenci

Skënderbeu është tashmë pjesë e katërshes së parë dhe në intervistën për “Panorama Sport”, Prençi tregon objektivat sezonalë të korçarëve.

Ai flet edhe për ndeshjen e radhës kundër Vllaznisë, që do të zhvillohet të hënën në stadiumin e Korçës, në orën 17:00. Kujtojmë që në ndeshjen e fazës së dytë në Shkodër, bardhekuqtë pësuan humbjen më të thellë sezonale, me shifrat 5-0 në “Loro Boriçi”.

Elvis, sa e rëndësishme për vazhdimësinë e Skënderbeut ishte kjo fitore kundër Laçit, që ju ngjiti në vendin e katërt?

Ka qenë një fitore shumë e rëndësishme dhe mbi të gjitha e vështirë përballë një kundërshtari që kemi pasur probleme në dy ndeshjet e para, pasi na kishte marrë pikët e plota. Mendoj se bëmë një ndeshje të mirë, duke interpretuar me saktësi të gjitha ato që i kishim punuar gjatë seancave stërvitore për të bllokuar kundërshtarin.

E dinim cilësinë që ka Laçi në skuadër dhe se ku i kishte ky ekip pikat e forta. U munduam të kishim balancë në të dyja fazat e lojës, për të mos rrezikuar të goditeshim nga kundërshtari dhe të ishim sa më pragmatistë. Besuam deri në fund tek suksesi dhe mendoj se kjo na çoi tek fitorja. Jemi shumë të kënaqur dhe duam që të vijojmë me të tilla paraqitje, por tani duhet të mendojmë gjithmonë për ndeshjen e radhës.

Jeni duke kaluar një moment fantastik në këto javë. Kush është sekreti i kësaj forme të mirë që po tregoni si skuadër?

Unë jam i mendimit se çelësi i suksesit të kësaj skuadre është grupi. Jemi shumë të bashkuar dhe sakrifikojmë për këtë fanellë. Trajneri na ka futur mentalitetin e duhur dhe ndjesinë apo peshën që kjo fanellë ka.

Pra, si ne duhet ta vlerësojmë atë që mbajmë veshur. Mund të them me bindje të plotë se kemi në grup fantastik, që nuk njeh limite. Nga sa e shoh, jo vetëm në ndeshje, por mbi të gjitha në stërvitje, është një ekip që po rritet çdo ditë dhe po fiton eksperiencën e duhur.

Të hënën luani kundër Vllaznisë në Korçë. Sa e vështirë do të jetë dhe çfarë prisni nga kjo ndeshje?

Vllaznia është duke kaluar një moment shumë të mirë. Është një ekip që meriton respekt maksimal pa diskutim. Kemi përpara një javë për të përgatitur këtë ndeshje dhe do ta mundohemi ta bëjmë në mënyrën më të mirë të mundshme, me qëllim që të jemi gati për këtë takim.

Veç ecurisë fantastike, shkodranët janë ekipi i vetëm të cilit nuk i keni marrë asnjë pikë këtë sezon. A mund ta ndalë Skënderbeu hapin e tyre?

Në fakt, ne mendojmë për ecurinë tonë dhe jo atë të kundërshtarit. Do të mundohemi të japim më të mirën në fushë dhe të jemi të përqendruar në maksimum për të zhvilluar një ndeshje të mirë. Skënderbeu, në çdo takim hyn me objektivin maksimal. Më pas do të shohim se çfarë do të na rezervojë fusha dhe kush do të jetë rezultati final.

Jeni pjesë e katërshes. Është “Final 4” një objektiv konkret për Skënderbeun?

Të jem i sinqertë, as që e mendojmë “Final 4” si një objektiv primar për sezonin. Ky ekip ka vetëm një objektiv, ndeshjen e radhës. Jemi të përqendruar vetëm atje, duke bërë maksimumin në çdo përballje që kemi. Në fund të sezonit do të jenë drejtuesit që do të bëjnë bilancin dhe do të analizojmë gjithçka për atë që mund të kemi arritur.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"