EKSKLUZIVE/ Partizani synon sulmuesin e Kukësit, “demat” kanë gati ofertën finale

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 21, 2024 | 22:11

EKSKLUZIVE/ Partizani synon sulmuesin e Kukësit, “demat” kanë gati ofertën finale

Partizani i ka nisur që tani planet e merkatos. Të kuqtë janë përqendruar për të plotësuar sulmin në të gjitha pozicionet dhe i piketuari është Mustafa Gbolahan Salami.

GBOLAHAN SALAMI MUSTAPHA

Sulmuesi i Kukësit ka rezultuar një nga zbulimet më të pikasura të Kategorisë Superiore në këtë sezon dhe Partizani është vënë në gjurmët e tij, duke hyrë në bisedime me Kukësin për ta blerë. 22-vjeçari ka kontratë me klubin verilindor deri në verën e vitit 2025, por interesimi për të riun është mjaft i madh dhe kjo verë shihet si e duhura për të ndërruar ekip. Burime pranë klubit kampion, për “Panorama Sport” bëjnë me dije se dy klubet kanë zhvilluar takime në lidhje me një transferim të mundshëm të 22-vjeçarit. Kukësi ka shfaqur pretendimet e veta financiare, nisur edhe nga ofertat e klubeve jashtë vendit.

Partizani, nga ana e tij, ka bërë me dije se oferta përfundimtare për të blerë Salamin është 140 mijë euro dhe pret një përgjigje nga Kukësi në ditët apo javët në vijim. Mbetet për t’u parë vendimi i klubit blu, por duhet thënë se shanset për finalizimin me sukses janë mjaft të mëdha. Për sulmuesin e djathtë në janar ka pasur interes edhe nga klube jashtë vendit, por Kukësi vendosi ta mbajë si një element i rëndësishëm i skuadrës në misionin për mbijetesën. Nga Kukësi, Partizani mori Altin Bytyçin në fillim të sezonit dhe në këmbim i pagoi taksën e formimit.

“PA KRAHË” – Pika ku Partizani vuan më së shumti janë krahët e sulmit. I vetmi sulmues anësor te klubi i kuq është Tedi Cara. Pavarësisht cilësive dhe përpjekjeve të kavajasit për të mbajtur peshë të konsiderueshme në manovrën sulmuese të skuadrës, ky lojtar nuk mjafton. Orges Shehi është një trajner, i cili në stilin e tij të lojës, e përqendron manovrën në krahë, siç kemi parë edhe te Partizani, ku lojtarë si Hadroj dhe Cara kanë marrë më shumë detyra sulmuese. Nëse e majta është zgjidhur me kavajasin, ndryshe ndodh me krahun e djathtë, ku është dashur natyralizimi i Gjelbrim Taipit apo vendosja e Vilës dhe Skukës në ndeshje të caktuara. Ky fakt, e bën Salamin mjaft të nevojshëm. Sulmuesi nigerian nuk ka munguar asnjë ndeshje në Superiore (28), ku ka koleksionuar 4 gola dhe 7 asiste. Para se të firmoste me Kukësin, 22-vjeçari e kishte lënë futbollin profesionist për 2 vite e gjysmë.

DENIS LALA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"