EKSKLUZIVE/ “Partizani ka ndryshuar tërësisht”, Broja: “Demat” kanë lojtarë që mund t’i çojnë drejt titullit (E PLOTE)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 24, 2022 | 19:40

EKSKLUZIVE/ “Partizani ka ndryshuar tërësisht”, Broja: “Demat” kanë lojtarë që mund t’i çojnë drejt titullit (E PLOTE)

Rron Broja prej një sezoni e gjysmë është pjesë e Dritës në Kosovë, ku po tenton të fitojë titullin kampion. Mesfushori nga Mitrovica, në verën e vitit të shkuar e la Partizanin, ku luajti dy sezone dhe ishte titullar absolut. Në një prononcim ekskluziv për “Panorama Sport”, ish-lojtari i “demave” flet për objektivat e gjilanasve, por më së shumti për Partizanin, ku për dy vite ishte një nga më të pëlqyerit e tifozëve. Broja shprehet se Partizani e ka forcën që të luftojë për titullin kampion në këtë sezon.

rron-broja-partizani

Nga Partizani te Drita, si po ju shkon eksperienca në Gjilan? Cilat janë objektivat e këtij sezoni?
Te Drita po bëj një vit e gjysmë dhe kam kaluar shumë mirë në të gjitha aspektet, si në fushë edhe në jetën e përditshme këtu. Objektivi i klubit në këtë sezon është fitimi i titullit kampion. Unë personalisht synoj të bëj paraqitje sa më të mira që ta ndihmoj klubin të arrijmë titullin kampion, i cili na mungon prej dy sezonesh.

Si e konsideroni eksperiencën tuaj te Partizani në ato dy sezone?
Ato dy sezone që qëndrova te Partizani kanë qenë shumë të mira për mua nga ana profesionale, sepse më kanë ndihmuar të rritem si futbollist edhe më shumë.

Sa ka ndryshuar Partizani që kur ju ishit pjesë e tij?
Partizani ka ndryshuar tërësisht. Mund të themi se ka nisur një projekt të ri, pasi ka lojtarë të rinj dhe persona të tjerë në stafin drejtues.

Si ju duken sivjet të kuqtë? E kanë forcën për t’i shkuar garës së titullit deri në fund?
Po, besoj se kanë arritur të ndërtojnë një skuadër për të luftuar për titullin kampion dhe mendoj se kanë shumë shpresa për t’i shkuar garës deri në fund. Gjithsesi, rruga është e gjatë e i pret një punë e madhe.

Cili nga mesfushorët e të kuqve mendoni se e ka forcën ta udhëheqë ekipin?
Telushi, Murataj dhe Hoti mendoj se e kanë përvojën dhe moshën e duhur për ta dërguar Partizanin drejt titullit kampion.

Si është të punosh me trajnerët italianë, ku ndryshojnë me shqiptarët?
Si me shqiptarët, po ashtu edhe me italianët ka qenë kënaqësi të punoj. Dallimi mendoj se është vetëm në anën taktike, ku italianët natyrshëm kërkonin më shumë.

Përse vuan kaq shumë në derbi Partizani? Në kohen tuaj kishit ecuri pozitive në derbi…
Të them të drejtën nuk arrij ta kuptoj, por i kam parë të gjitha derbit që kur jam larguar dhe mendoj se kanë merituar më shumë. Ndonjëherë futbolli nuk të jep aq sa meriton. Shpresoj që fati të jetë më ta në derbin e radhës dhe të arrijnë të fitojnë.

Ku e shihni veten në fund të sezonit? E doni një transferim jashtë vendit?
Gjithmonë besoj në një transferim jashtë vendit në një ligë më të fortë dhe shpresoj që kjo të ndodhë.

Me cilin ekip jeni tifoz dhe kush mendoni se e fiton Botërorin?
Unë jam tifoz me Francën, që ka një ekip mjaft të fortë. Megjithatë, mendoj se Botërorin e fiton Portugalia.

DENIS LALA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"