EKSKLUZIVE/ “Nuk ka ndodhur ndonjë çudi”, presidenti Demi qetëson Partizanin pas eliminimit në Kupë: Penalltitë janë…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 7, 2024 | 21:21

EKSKLUZIVE/ “Nuk ka ndodhur ndonjë çudi”, presidenti Demi qetëson Partizanin pas eliminimit në Kupë: Penalltitë janë…

Partizani mori një goditje të madhe të martën, duke u eliminuar në mënyrë të befasishme nga Kupa e Shqipërisë në dy duele çerekfinale me Kukësin, që në letër dukej një çështje e mbyllur.demi

Nuk ndodhi kështu, pasi Hasaj barazoi golin e Taipit në Kukës dhe bëri rezistencë deri te penalltitë, ku më pas fati dhe aftësitë e Tafasit, por edhe të gjuajtësve kuksianë, dërguan blutë në gjysmëfinale. Në të njëjtën kohë, Partizani pësoi një goditje poshtë brezit, pasi iu desh të hiqte dorë nga një trofe, që i mungon prej 20 vitesh. Njëkohësisht të kuqve iu hoq mundësia për të fituar “tripletën” historike të përbërë nga Superkupa, kampionati dhe Kupa. Disfata të tilla pasohen me “tërmete” në klube të mëdha si Partizani, por ky nuk është rasti. Të kuqtë e kanë kapërdirë në heshtje eliminimin nga Kupa dhe këtë e konfirmon vetë presidenti Demi. I pyetur rreth ndonjë mase të mundshme pas disfatës, në një prononcim për “Panorama Sport”, presidenti Demi shprehet:

“Asnjë masë. Stafi dhe lojtarët punojnë të qetë. Nuk ka ndodhur ndonjë çudi. Penalltitë janë punë fati. Trajneri e kishte përgatitur mirë dhe lojtarët luftuan, por nuk patën fat”. Demi kujdeset të përcjellë mesazhin se Shehi, stafi i tij dhe lojtarët duhet të vijojë punën pa presion, drejt titullit kampion, aq shumë i dëshiruar.

PRAPASKENAT – Pas ndeshjes me Kukësin, asnjë prej drejtuesve nuk preferoi të zbarkonte në dhomat e zhveshjes, madje u larguan më shpejt seç ndodh zakonisht. Dje skuadra ka qenë pushim dhe gjithçka në klub ka qenë e qetë. Te Partizani duket se durimi është bërë “i hekurt”, ndryshe nga e shkuara, kur pas eliminimeve të dhimbshme merreshin masa me shkarkime ose gjoba, siç ka ndodhur në një prej eliminimeve ndaj Besëlidhjes në Kupë.

DENIS LALA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"