EKSKLUZIVE/ “Mba është kthyer në formë”, Shehi: Partizani po lirohet, shkojmë në gjysmëfinale (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 4, 2024 | 20:05

EKSKLUZIVE/ “Mba është kthyer në formë”, Shehi: Partizani po lirohet, shkojmë në gjysmëfinale (E PLOTË)

Partizani mundi të kthehet shpejt te fitorja pas humbjes ndaj Skënderbeut. Të kuqtë arritën një triumf me tre gola ndaj Kukësit për kampionat, duke mbajtur ritmin e Vllaznisë dhe iu afruar Egnatias. Misioni i radhës është çerekfinalja e dytë ndaj kuksianëve, ku do të kërkohet të mbrohet ose të thellohet avantazhi minimal i ndeshjes së parë. Në një prononcim ekskluziv për “Panorama Sport”, trajneri Shehi shprehet i kënaqur me atë që skuadra bëri të premten ndaj Kukësit, teksa kërkon me çdo kusht gjysmëfinalet.

shehi

Orges, sa çliruese ishte kjo fitore për skuadrën?

Çdo fitore është e rëndësishme, ndaj çdo kundërshtari vlen tri pikë, pavarësisht renditjes ku ndodhet. Vinim pas një jave të ngarkuar. Fituam derbin, bëmë të njëjtën gjë në Kupë ndaj Kukësit dhe humbëm me një penallti në Korçë. Kërkonim të riktheheshim te fitorja. Më vjen mirë që e bëmë në këtë ndeshje, sepse skuadra çlirohet nga ana psikologjike. Është normale që në futboll ka momente të mira dhe të këqija, lum kush ka një dozë mesatare, jo me luhatje të mëdha, që të rikthehet shpejt te fitorja.

Sa i kënaqur jeni që krijuar shumë raste shënimi dhe shënuat tre gola, bashkë me dy shtylla?

Ne kemi pasur paraqitje të mira, por edhe të këqija. E kam thënë se nuk kemi pasur hap kampioni, por një ecuri normale. Është diçka normale pas ndërrimit dhe lëvizjeve të trajnerëve, sepse na duhet kohë ne dhe lojtarëve që të përshtatemi. Edhe pse kemi mungesa, kemi mënyra të ndryshme të të luajturit. Gjejmë rrugëdalje të ndryshme, edhe për shkak të karakteristikave.

U duk sikur u desh pjesa e dytë që ta “çmontonit” Kukësin?

Unë mendoj se edhe në pjesën e parë kemi qenë prezent. Edhe pse Kukësi kishte një strategji për të përfituar nga gabimet tona. Në sulm punonin duke lënë dy lojtarë, Salamin dhe Rashitin, gjithnjë lart për të qenë ata pikënisje. Ndryshuam mënyrë vendosjeje dhe rrugëdaljeje në pjesën e dytë, sepse kundërshtari na bllokoi qendrën dhe linjat ishin shumë afër. Pastaj kur shënon, edhe skuadra e ka më të lehtë

Kthehet Cara dhe bën thuajse gjithçka, dy gola dhe një asist. Duket sikur gradualisht ai po bëhet lojtari që ju dëshironi?

Unë ia kam thënë edhe Tedit se është një lojtar me mjaft vlera. Është një lojtar tek i cili ne kemi besim shumë, duhet të besojë dhe ai. Duhet të vazhdojë këtë rrugë. Vjen pas ndeshjeve të mira në derbi dhe në çerekfinale të Kupës, për fat të keq na mungoi në Korçë. Më vjen mirë që ai shënon, por edhe për Mba, që kthehet në gjendjen e tij të mirë, sepse na ndihmon nga ana fizike. Gjithashtu më vjen mirë për Mehmetin, që shënoi sot. Kur lojtarët përgjigjen si duhet, natyrisht që je i kënaqur.

Mendoni se e mbuluat si duhet mungesën e Rrapajt?

U duk sikur mesfusha funksionoi si duhet ndaj Kukësit… Rrapaj është lojtar i rëndësishëm. Unë kam thënë disa herë se të gjithë janë të rëndësishëm, por nuk duhet të ngremë alarmin dhe të qajmë kur mungon njëri apo tjetri. Nuk është normale që ne të flasim gjithnjë për lojtarët që nuk kemi. Rrapaj është një lojtar i rëndësishëm, të cilin mezi e presim të kthehet.

Tashmë ndesheni në Kupë po me Kukësin. Sa ndryshe e prisni këtë ndeshje?

Po, të martën ndeshemi në Kupë. Kërkojmë kalimin në gjysmëfinale, kemi fituar minimalisht ndeshjen e parë. Është një përballje, që kërkon vlerësim. Në futboll nëse nuk vlerëson kundërshtarin, krijohen vështirësi dhe bëhet e dëmshme. Të punojmë për arritjen në gjysmëfinale dhe më pas mendojmë për sfidat e tjera.

Do të ketë lëvizje në formacion në funksion të menaxhimit të lojtarëve?

Të premten ishin dy forca të reja, që nuk luajtën në Korçë. Pastaj nisëm të zëvendësonim edhe lojtarë. Patjetër që në futboll ka rrotacione dhe zëvendësime, por gjithnjë pa prishur strukturën.

DENIS LALA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"