EKSKLUZIVE/ Laçi i “fiksuar” me ish-lojtarët e Kukësit, kurbinasit tentojnë mbrojtësin. Pengesë bëhet…Kroacia

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 3, 2020 | 12:59

EKSKLUZIVE/ Laçi i “fiksuar” me ish-lojtarët e Kukësit, kurbinasit tentojnë mbrojtësin. Pengesë bëhet…Kroacia

Laçi është i papërmbajtshëm në merkato, teksa në orët e fundit po kërkon të mbyllë një tjetër transferim të rëndësishëm për të blinduar përfundimisht skuadrën. “Panorama Sport” zbulon se klubi kurbinas ka nisur bisedimet me mbrojtësin e djathtë që u largua së fundmi nga Kukësi, Edis Maliqi. Duket se bardhezinjtë janë të fiksuar pas lojtarëve nga klubi verilindor, sepse më parë kanë firmosur edhe me nigerianin Erhun Obanor dhe elbasanasin, Emiljano Musta.
edis maliqi
Nëse afrohet edhe Maliqi, atëherë mbrojtja e Laçit do të jetë thuajse ajo që kishte në përbërje Kukësi në sezonin e kaluar. Kësisoj, lufta për një vend në formacion do të bëhej e egër, në një kohë që si titullarë në këtë repart te kurbinasit kanë luajtur kapiteni Ignjatoviç, talenti Selmani, si dhe lojtarët e krahut Turkaj e Fangaj. Pas largimit të këtij të fundit, rolin e mbrojtësit të djathtë e bëri Albion Marku, ndërsa në skuadër u afrua gjatë merkatos edhe Dorian Kërçiku.

Për momentin nuk ka asgjë të sigurt edhe për faktin se Maliqi po pret një opsion nga Kroacia. Por, Laçi e ka bërë hapin e parë dhe mbetet për t’u parë se çfarë do të ndodhë.

Në merkaton e verës që zgjati deri më 2 tetor, Laçi siguroi shërbimet e lojtarëve si Alen Sherri, Klejdi Rapo, Lukas Ramos, Renato Malota, Mentor Mazrekaj, Dorian Kërçiku, Van Dejv Harmon, Bryan Joel Rodriguez, Emiljano Musta, Erhun Obanor dhe në huazim nga Hellas Verona mesfushorin senegalez, Bashir Mane. Në total 11 afrime, me bardhezinjtë që do të luftojnë për synime madhore.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"