EKSKLUZIVE/ Kukësi në telashe, futbollisti dërgon klubin verilindor te FIFA

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 9, 2020 | 18:10

EKSKLUZIVE/ Kukësi në telashe, futbollisti dërgon klubin verilindor te FIFA

Valon Ethemi hedh në gjyq klubin e Kukësit për kontratën dhe refuzimin e dhënies së lejes së kalimit pas përfundimit të sezonit 2019-2020. “Panorama Sport” zbulon nga burime të sigurta pranë lojtarit se prej disa ditësh avokatët e tij kanë ngritur padi në FIFA kundër klubit dhe tashmë qeveria e futbollit botëror do të japë një vendim maksimumi deri në fund të javës së ardhshme.
Ethemi
Çështja e largimit të mesfushorit tetovar nga Kukësi duket se ishte e destinuar për të shkuar në gjyq pas krisjeve mes palëve që lindën në momentin kur Ethemi kishte arritur akordin me polakët e Zaglebie Lubin. Pasi kreu vizitat mjekësore në skuadrën e re, një shkresë e dërguar në adresë të Zaglebie Lubin nga Kukësi bllokoi transferimin.
ETHEMI
Klubi verilindor pretendon se kontrata e Ethemit përfundon në momentin që skuadra mbyll angazhimet në Ligën e Europës. Mirëpo, përfaqësuesit ligjorë të lojtarit kanë paditur Kukësin në FIFA, duke e cilësuar këtë kontratë si abuzive dhe kërkuar dëmshpërblim. Nga ana tjetër, padia e ngritur është bërë edhe për shkak të mosdhënies së lejekalimit nga Kukësi, duke qenë se futbollisti dhe avokati i tij pretendojnë se kontrata i ka skaduar në momentin kur ka përfunduar sezoni 2019-2020 dhe jo kur mbyllet angazhimi i Kukësit në Europë.
VALON-ETHEMI
Ndërkohë, që prej bllokimit të transferimit në Poloni, Ethemi po stërvitet në Berlin të Gjermanisë me një trajner personal deri në zgjidhjen e çështjes. Pista për të firmosur me polakët mbetet e hapur, por fillimisht pritet gjyqi.

SKERDILAID SULOZEQI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"