EKSKLUZIVE/ Kualifikimi historik në finalen e Olimpiadës, Luiza Gega: Ishte gara më emocionuese e gjithë karrierës, tani dua… rekord

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 2, 2021 | 15:10

EKSKLUZIVE/ Kualifikimi historik në finalen e Olimpiadës, Luiza Gega: Ishte gara më emocionuese e gjithë karrierës, tani dua… rekord

Ndonëse me një përvojë të madhe mbi shpatulla, me suksese të shumta në arenën ndërkombëtare, Luiza Gega e konsideron garën kualifikuese të zhvilluar në Tokio si më emocionuesen që ka pasur ndonjëherë. Në një prononcim ekskluziv për “Panorama Sport”, menjëherë pasi kishte siguruar finalen e 3000 metrave me pengesa në Lojërat Olimpike, Gega e komentoi kështu garën e saj të jashtëzakonshme:

Luiza Gega Tokio

“Në të gjithë karrierën time sportive nuk kam pasur kurrë kaq shumë emocione sa në këtë garë. Nuk e di, ndoshta ngaqë e doja patjetër një kujtim të bukur nga Tokioja, siç edhe e kisha shprehur më përpara. E doja se s’bën ta arrija! Nuk ishte e lehtë sepse kundërshtaret e mia kishin kohë shumë të mira dhe lëviznim me shumë pak sekonda për 15 vendet që të dërgonin në finale. E dija që nuk do të ishte e lehtë, por që në fillim e kërkova kualifikimin, në mënyrë që edhe nëse nuk e arrija në bazë të tri kohëve më të shpejta të baterisë, ta kapja me kohë të shpejtë në renditjen e përgjithshme.

Për këtë arsye shpeshherë e kontrolloja garën, teksa shikoja që vajzat e kreut e ulnin ritmin, kështu që dilja para që ta ngrija pak”, shprehet shumë e lumtur pas suksesit në Tokio, 32- vjeçarja. Më tej Gega thekson rëndësinë e rezultatit në Lojërat Olimpike: “Ishte një rezultat që i mungonte karrierës sime sportive, që të quhesha edhe finaliste olimpike, për të gjithë ata që e kuptojnë sadopak se çfarë do të thotë ky rezultat. Është një arritje shumë e madhe, sepse të gjithë sportistët e lakmojnë Olimpiadën dhe përgatiten fort, pasi po flasim për evenimentin më të madh botëror.

I gjithë fokusi është këtu, pasi është një mundësi që nuk të vjen çdo vit, por vetëm një herë në katër vite dhe kurrë nuk e di se si do të jesh pas katër vitesh. Ajo që mund të them është se jam vërtet shumë e lumtur pas kësaj gare”, deklaron Luiza Gega. Ndonëse tashmë e ka përmbushur me sukses misionin dhe objektivin e saj në “Tokio 2020”, atletja kuqezi kërkon që të lërë gjurmë edhe në finale, aty ku synon thyerjen e rekordit kombëtar dhe një pozicionim me 10 atleteve të para.

Gega Luiza

Ja si shprehet rekordmenia për finalen e 4 gushtit: “Di të them vetëm që do të jap maksimumin tim në finale dhe dua të vendos një rekord të ri pikërisht në Olimpiadë. Ky është edhe synimi im kryesor, që rekordi im i ri të shkruhet këtu në Tokio. Do të përpiqem shumë fort që t’ia arrij dhe uroj që t’ia dal.

Nëse ia dal të vendos rekord, do të mundësonte edhe një pozicionim të mirë në finale, aty ku uroj të futem në top-10. Këto janë synimet e mia dhe besoj që janë të arritshme. Gjithmonë mundohem të them gjëra që vërtet mund t’i arrij, sepse nuk dua të zhgënjej qoftë veten time dhe askënd, por mendoj që top10 është e arritshme”, përfundoi Luiza Gega.

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"