EKSKLUZIVE/ “Kampionët e kalojnë Skënderbeun”, ish-kapiteni Bylykbashi: Partizani për tripletën, derbi nis një seri fitoresh (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 25, 2024 | 8:25

EKSKLUZIVE/ “Kampionët e kalojnë Skënderbeun”, ish-kapiteni Bylykbashi: Partizani për tripletën, derbi nis një seri fitoresh (E PLOTË)

Dorian Bylykbashi mbetet ende një figurë e dashur dhe besnike e Partizanit, ku ka lënë gjurmë të thella në kohën kur luante dhe mbahet mend si një ndër më brilantët e pas viteve 2000.Bylykbashi

Në një prononcim ekskluziv për “Panorama Sport”, ish-fantazisti i të kuqve analizon Partizanin e Shehit, ku shprehet se e ka kapacitetin për të fituar tripletën. Bylykbashi shprehet se titulli do të diskutohet mes kampionëve në fuqi, Egnatias dhe Vllaznisë.

Si ju duket Partizani nën drejtimin e Orges Shehit?

Është pak shpejt për të folur. Besoj se fytyrën e vërtetë të Partizanit të Orges Shehit do ta shohim në verë apo gjatë kampionatit tjetër, sepse edhe lëvizjet e kryera në skuadër nuk kanë qenë të Shehit. Ai do të kërkojë të nxjerrë më të mirën nga lojtarët që Partizani ka aktualisht.

Nisur nga ajo që bëri te Tirana, çfarë mendoni se mund të ndryshojë Shehi te Partizani?

Një trajner bën diferencën nga të tjerët me mënyrën e tij të lojës. Në këtë rast Shehi do të duhet të punojë edhe në bazë të lojtarëve që ai ka. Jo çdo trajner mund të luajë me të njëjtën mënyrë loje me çdo ekip. Te Tirana ka pasur lojtarë të tjerë, me aftësi të tjerë. Partizani ka lojtarë të tjerë. Siç e thashë, vitin tjetër do të shohim Partizanin e Shehit. Ai do të mundohet që me skemat e tij t’i vijë si “pas avazit” profilit të lojtarëve që ai ka aktualisht. Gesi është një trajner i zgjuar dhe me eksperiencën e duhur për të bërë lëvizjet e duhura. Partizani e ka boshtin, kanë një grup që mua më pëlqen.

E meritoi Partizani fitoren në derbi dhe a mendoni se është një hap para Tiranës?

Sigurisht që e meritoi, me gjithë lojën e krijuar, me rastet. Me atë përmbysje shumë të shpejtë që në pjesën e parë dhe me shumë raste të tjera të humbura. Tirana nuk pashë të bënte ndonjë reagim të fortë pas përmbysjes, Partizani “e mbyti” nga të gjitha anët. Besoj se ishte superior në çdo cep të fushës, në çdo repart. Mendoj se edhe me lëvizjet që dy skuadrat bënë në janar, Partizani është më lart. Gjithsesi, pres garë të fortë deri në fund. “Final 4” ka ndikuar edhe në faktin që i ka dhënë disa ekipeve mundësinë për të synuar titullin në fund. Kujtoj këtu rastin e Dinamos, që javë më parë diskutonte rikthimin në të Parën dhe tashmë e sheh veten në “Final 4”. Vllaznia gjithashtu ka një ecuri dhe një ekip për tu vlerësuar. Ishte një lëvizje e duhur ndërrimi i trajnerit, pasi ardhja e Qatip Osmanit i ka dhënë tjetër ritëm.

Mendon se pas një ecurie jo pozitive derbi mund të jetë një “shkrepëse” për Partizanin, që të nisë një seri rezultatesh pozitive?

Besoj se po. Derbi është ndeshje e veçantë për të gjithë. Shpresoj që të vazhdojnë një ecuri me disa rezultate pozitive në vazhdim. Por kjo formula e re, në momentin që e sheh veten të sigurt në formacion, domosdo mund të krijohet njëfarë situatë për t’i marrë ndeshjet më lehtë se zakonisht. Nga një anë formula ndikon edhe negativisht, sepse nuk të ndihmon të tregosh gjithnjë maksimumin tënd. Nëse krijohet shkëputje, krijohen të tilla probleme.

Partizani duket një skuadër e kompletuar, por a mendoni se ka ndonjë repart ku kërkohet më shumë cilësi?

Partizani është një skuadër mjaft e kompletuar, por lojtarët e mirë ose liderët kanë gjithnjë vend në ekipe të tilla. Do të shpresoja shumë që Partizani të tregohej i kujdesshëm sa i përket ndryshimeve dhe të ruajë grupin. Nuk duhet filluar edhe një herë nga e para. Partizani sigurisht që ka nevojë për lojtarë të mirë, sepse mund të ketë edhe shitje.

Si ju duken rivalët direkt të Partizanit? Si e krahasoni ekipin e kuq kundrejt Egnatias?

Egnatia ka arritur të ndërtojë një ekip shumë të mirë. Jo rastësisht është në krye të renditjes. Mund të ketë ndikuar edhe pjesa e “Final 4”, por Egnatia ka një ekip për tu admiruar. Ka bërë blerje dhe shpenzime, që jo gjithnjë të kthehen mbrapsht, por Egnatia ia ka dalë të afrojë lojtarë të vlefshëm, që i kanë dhënë shumë ekipit. Prandaj edhe ka atë lloj diference me ndjekësit. Mendoj se ky kampionat do të rrotullohet mes tre ekipeve: Egnatia, Partizani dhe Vllaznia.

Nga Partizani kanë spikatur disa lojtarë për mirë. Kush ju ka befasuar më shumë?

Unë kam pasur dyshime për pozicionin e Magetit kur luante si mesfushor i majtë, sepse e shihja që ishte një lojtar me teknikë dhe horizont. Një nga gjërat më të mira që bëri Zekiç te Partizani ishte vendosja e Maget në qendër. Është një koordinator shumë i mirë, nis aksione, por edhe thyen ato të kundërshtarëve. E ka zëvendësuar më së miri Matondon. Ai më ka surprizuar dhe mendoj se është shndërruar në lojtar kyç. Pastaj emra si Hadroj, Rrapaj, Sota, Cara e të tjerë njihen tashmë për cilësitë e tyre dhe nuk përbëjnë surpriza.

Në dhjetor Partizani fitoi Superkupën dhe është ende në lojë në Kupë dhe kampionat. Mund të fitojë Partizani tripletën historike?

Mendoj se po, Partizani e ka forcën për të plotësuar tripletën. Shpresoj dhe uroj që ta arrijë, sepse nuk e mbaj mend nëse e ka fituar ndokush tripletën. Besoj se me ardhjen e Shehit janë tërësisht të fokusuar te këto dy trofe. Mundësitë dhe organika është, thjesht duhen marrë ndeshjet një e nga një dhe duke u vlerësuar maksimalisht. Duhet të jenë perfektë në çdo ndeshje, pasi në Kupë, por edhe në “Final 4” nuk lejohet asnjë gabim.

Partizani luan me Skënderbeun të dielën, ju duket një pengesë e kalueshme transferta e Korçës?

Partizani është favorit me shumicën e ekipeve që luan këtu në vendin tonë. Shkojnë në Korçë me petkun e kampionit dhe pas fitores në derbi, kështu që mendoj se do t’ia dalin. Gjithashtu, mendoj se Gesi ia di pikat e dobëta korçarëve (qesh). Ka kaluar vite të tëra në atë qytet.

Ju keni luajtur me Shehin te Partizani. Si ka qenë ai si shok ekipi?

Ka qenë tip i qetë, por nuk i kursente as shakatë. Ne kemi qenë një grup që rrinim bashkë edhe jashtë futbollit me Gesin, Pinarin apo Beqirin. Përveçse lojtar i mirë, ishte po aq i mirë edhe në jetën e përditshme. Jemi miq ende dhe i kam uruar suksese kur u kthye te Partizani.

DENIS LALA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"