EKSKLUZIVE/ Ish-ndihmësi i Daliçit, Mërgjyshi: Kur trajneri i Kroacisë i binte tavolinës me grusht te Dinamo

Panorama Sport | Gazeta me e shitur sportive ne vend

Postuar: Korrik 10, 2018 | 23:24

EKSKLUZIVE/ Ish-ndihmësi i Daliçit, Mërgjyshi: Kur trajneri i Kroacisë i binte tavolinës me grusht te Dinamo

Artan Mërgjyshi ka qenë një nga bash këpunëtorët e ngushtë të Zllatko Daliçit te Dinamo. Në sezonin 2008- 2009 ishte zëvendës i tij te Dinamo dhe e vlerëson pa masë trajnerin e sotëm të Kroacisë. Mbi të gjitha, në aspektin njerëzor.

“Ishte i jashtëzakonshëm dhe të impononte ta respektoje patjetër me sjelljen e tij prej zotërie, por nuk ishte edhe aq i qetë. Një herë u nxeh aq shumë saqë kur i ra tavolinës me grusht, na shtangu të gjithëve”, thotë Mërgjyshi për “Panorama Sport”.

dalic-mergjyshi

Mërgjyshi, çfarë eksperience ishte ajo me Daliçin?

Trajner i zoti, por mbi të gjitha njeri i shkëlqyer.

Ishte më i mirë si trajner apo si njeri?

Atëherë i kishte të dyja, por në raportet njerëzore ishte unik.

Pse?

Sepse sillej mirë dhe korrekt. Kishte durim, kishte qytetari dhe të shpjegonte gjërat në mënyrën e duhur. Nuk bënte hile dhe punonte me seriozitet. Të dhënat i kishte që asokohe se do të bëhej dikush.

A e mendonit se do të shkonte kaq larg?

Jo, të them të vërtetën, jo. Ishte i zoti, por nuk mendoja ndonjëherë se do të arrinte kaq lart. Por e meriton. Ai punonte shumë dhe ishte gjatë gjithë kohës i përditësuar me futbollin modern.

Çfarë kujtoni tjetër nga ai?

Shikoni, Daliç në atë kohë kishte disa CD të analizave dhe të punës që kishin bërë trajnerë të mëdhenj si Gus Hidink, Fabio Kapelo etj. I studionte mirë ato dhe më dha edhe mua një kopje. Më kujtohet se më tha: “Mbaji t’i kesh për vete! Mos i shpërnda, por përdori për vete se të ndihmojnë shumë!”. Pra, nuk i linte gjë rastësisë dhe ishte në kërkim të horizonteve të reja në profesionin që bënte.

Si ishte raporti i tij me skuadrën?

Korrekt. Kërkonte shumë, por edhe vetë punonte shumë. Ishte i duruar, shumë madje, por kishte edhe ndonjë shpërthim që të befasonte. Një herë na shtangu të gjithëve…

Pse, çfarë ndodhi?

Ajo që ndodh rëndom këtu te ne… Butësinë dhe mirësjelljen e marrin si mungesë serioziteti… Pas një ndeshjeje e pa që lojtarët nuk po ia varnin shumë dhe po silleshin me arrogancë. I duroi deri sa mbaruan dhe kur e pa që po binin në qetësi, i ra tavolinës aq fort me grusht sa na habiti. Nisi të ulërinte me zë të lartë: “Pse juve do t’ju duroj, që edhe luani keq, edhe silleni kështu? Kush mendoni se jeni? Nëse mendoni se urtësia ime është dobësi, mund t’jua bëj edhe jetën malore….!”. Na habiti, ishte hera e parë që bërtiste. Por, pas asaj, nuk e bëri më.

Për çfarë ankohej Daliç në Shqipëri?

Për kontingjentin. Thoshte se kemi lojtarë të mirë, por jo shumë alternativa. Është e rëndësishme që edhe alternativat të jenë po kaq të mira. Ishte i fiksuar pas kësaj gjëje dhe në fakt nuk e kishte gabim. Alternativat e mira ofrojnë zgjidhje dhe shtojnë konkurrencën.

A i keni ruajtur kontaktet më të?

Po, deri para pak vitesh kur drejtonte një klub në Arabi. Më kërkoi informacion për Allmuçën, sepse e pëlqente shumë. Nuk e di pse nuk shkoi më pas Igli atje, por edhe kur folëm ishte shumë i përzemërt.

Cila ishte pika e tij më e fortë si trajner?

Mendoj se e lexonte shumë mirë kapacitetin e lojtarëve që kishte, por edhe lojën gjatë një ndeshjeje. I lexonte mira situatat që krijoheshin dhe u jepte zgjidhje. Pika tjetër e fortë ishte që kërkonte gjithnjë të përmirësohej

JETMIR HALILAJ

 






www.minuta90.com