EKSKLUZIVE/ Halili shkund skuadrën para sfidës me Egnatian, Tirana tani kërkon zbulimin e kampionatit kosovar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 23, 2023 | 8:30

EKSKLUZIVE/ Halili shkund skuadrën para sfidës me Egnatian, Tirana tani kërkon zbulimin e kampionatit kosovar

Tirana është në kërkim të “oksigjenit” në futboll, pikëve, por gjendjen në ekip nuk e ka të qetë. Disa lojtarë të dëmtuar, një i shitur, një tjetër i pezulluar, bëjnë që Julian Ahmataj të jetë në emergjencë të plotë para sfidës së fundit të vitit 2023. Në këto kushte, presidenti i Tiranës, Refik Halili, ka zhvilluar një mbledhje të gjatë me skuadrën para Egnatias. Ai ka kërkuar nga ekipi që të tregojë veten në fushë.

tirana

Të tregojë atë që ka dhënë ndaj dy skuadrave në Europë, ndaj Partizanit në derbi dhe ndeshje të tjera të këtij sezoni. Halili ka dashur që të shkundë ekipin para ndeshjes me Egnatian.

Një tjetër humbje në këtë sfidë do të ishte shumë e rëndë për bardheblutë. Do të rrezikonin realisht katërshen e parë në vazhdim. Dinamoja dhe Skënderbeu janë aty gati për një vend në “Final 4”.

Bardheblutë kanë pësuar shumë gola në 17 javë kampionat. Plot 24 rrjeta të pësuara.

Nga ana tjetër, çmenduria më e madhe është te fakti që bardheblutë sezonin e shkuar kanë pësuar në 36 javë vetëm 33 gola, ndërsa në më pak se gjysmën e ndeshjeve të këtij sezoni kanë pësuar 24 gola.

Një shifër alarmante. Në gjashtë sezonet e fundit, ky i sivjetshmi është më problematiku në 17 javë. Për pikë Tirana është më mirë, me 23 pikë, ndërsa në dy kampionate të tjera ka bërë më keq.

MERKATOJA – Po kështu, te Tirana janë dy probleme. I pari, merkatoja dhe lojtarët që do të afrojë. Së fundmi, Tirana kërkon të firmosë me Drilon Hazrollajn, lojtarin e shumëkërkuar në Kosovë dhe që Ballkani po bën të pamundurën për ta marrë.

drilon hazrollaj

Hazrollaj këtë sezon me FC Malishevën ka shënuar tetë gola dhe është vetëm 19 vjeç. Lojtari këtë sezon ka shpërthyer dhe në 17 ndeshje, veç tetë golave, ka dhënë edhe pesë asiste, duke qenë në fushë 1486 minuta. Lojtari vlerësohet 400 mijë euro.

Ai luan qendërsulmues, pas sulmuesit të parë apo në krahun e djathtë. Për t’u parë mbetet nëse Tirana do ta marrë në skuadër apo jo. Fakt është që lojtarin kosovar që mund të luajë për Shqipërinë e kërkojnë disa ekipe si në Kosovë, Shqipëri dhe skuadra të huaja.

011

Bardheblutë kërkojnë nga Kosova edhe Mustafa Ba nga Trepça, ndërkohë që klubi kosovar kërkon 150 mijë euro. Tirana pritet që pas sfidës me Egnatian të nisë një revolucion në skuadër. Kështu, veç Florent Hasanit pritet të largohen edhe shumë lojtarë të tjerë.

OLSI AVDIAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"