EKSKLUZIVE/ Gati firma e parë te Kukësi, verilindorët pranë transferimit të mbrojtësit maqedonas

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 13, 2021 | 9:30

EKSKLUZIVE/ Gati firma e parë te Kukësi, verilindorët pranë transferimit të mbrojtësit maqedonas

Kapiteni i Sileksit në Maqedoninë e Veriut, Angelçe Timovski, pritet të jetë goditja e parë e Kukësit në merkaton e janarit. Ashtu siç ka paralajmëruar “Panorama Sport”, drejtuesit e klubit verilindor po nxitojnë të bëjnë përforcimet e nevojshme, në mënyrë që skuadra të jetë e kompletuar në pjesën e mbetur të sezonit. Mbrojtja është pika më e dobët në këto 13 ndeshje kampionat dhe pikërisht në këtë repart drejtori sportiv, Nderim Nexhipi, po kërkon më tepër lojtarë. Gazeta zbuloi pak ditë më parë se Kukësi po bisedon me dy mbrojtës maqedonas, pikërisht numrin 4 të Vardarit të Shkupit, Viktor Velkoski, si dhe 26-vjeçarin Timovski, një prej lojtarëve më të mirë të Silevskit, që në edicionin e fundit mori pjesë në Ligën e Kampioneve.
maxresdefault
Pas disa ditësh negociata, mësohet se më afër firmës me Kukësin është pikërisht mbrojtësi i djathtë, Timovski. Në këtë pozicion aktualisht trajneri Hallaçi ka vetëm Redon Dragoshin në dispozicion, prandaj dhe afrimet janë të domosdoshme. Timovski është një futbollist që mund të luajë fare mirë jo vetëm në krahun e djathtë, por edhe në të majtë. Gjithashtu, ai mund të përshtatet edhe si mesfushor shkatërrues. Në pjesën e parë të kampionatit maqedonas u aktivizua në 17 ndeshje, duke qenë një ndër futbollistët më të vlerësuar të Sileksit. Madje në lojë për mbrojtësin e krahut ishte edhe Shkëndija e Tetovës. Tashmë mbetet për t’u parë nëse Kukësi do të zyrtarizojë Timovskin brenda javës.

timovski

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"