EKSKLUZIVE/ “Garoj me më të mirët”, Mehmeti: Partizani synon edhe Kupën, sot për fitoren e radhës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 5, 2024 | 10:01

EKSKLUZIVE/ “Garoj me më të mirët”, Mehmeti: Partizani synon edhe Kupën, sot për fitoren e radhës

Adnard Mehmeti erdhi vetëm në verë te Partizani, por është mes afrimeve që u ambientua më shpejt dhe ka arritur të tregojë mjaft vlera. Së fundmi është kthyer nga një dëmtim dhe në sfidën e shkuar ndaj Kukësit shënoi golin e dytë sezonal. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport” mesfushori flet për aventurën me “demat” dhe është i bindur se në fund feston titullin kampion.MEHMETI

Adnard, sa e rëndësishme ishte ajo fitore me Kukësin për momentin ku ndodheshit?

Ishte shumë e rëndësishme që t’i merrnim ato tri pikë për faktin se duhet të luftojmë në renditje, por gjithashtu për aspektin psikologjik na duhej me patjetër një fitore pas atij rezultati negativ në ndeshjen e shkuar të kampionatit me Skënderbeun. Bëmë detyrën ndaj Kukësit dhe tashmë vijojmë përpara hap pas hapi.

Sa ju ndihmon goli i shënuar në aspektin personal?

Normal që më ndihmon, sepse nuk ka shumë kohë që jam kthyer nga një dëmtim dhe ky gol më ndihmon jashtëzakonisht për të rritur besimin në vete dhe për t’u kthyer në formën time maksimale.

Duket sikur u ndalët disi nga dëmtimi dhe tashmë po hasni vështirësi për fanellën e titullarit. Si e prisni sezonin në vazhdim?

Fati nuk ka qenë me mua, sepse kam pësuar disa dëmtime, por tashmë jam rikthyer dhe jam tërësisht gati. Askush nuk e ka të lehtë te Partizani, sepse këtu luajnë lojtarët më të mirë në Shqipëri. Mua më takon të jap më të mirën, pjesa tjetër i përket trajnerit.

Mendoni se në fazën finale të kampionatit ku po hyjmë tashmë, Partizani do t’i lërë pas luhatjet?

Shpresojmë që pas kësaj fitoreje ndaj Kukësit situata në skuadër akoma më e mirë dhe presioni negativ të vijë gjithnjë e në ulje. Jam i sigurt se Partizani do të rrugëtojë me qetësi drejt katërshes së parë dhe më pas në “Final 4” do të jetë tjetër histori. E dimë mirë se na pret një sezon i fortë, por në fund bëhemi ne kampionë.

Mendoni se i keni forcat dhe mundësitë për ta parakaluar Vllazninë?

Ne jemi Partizani. Normalisht që i kemi forcat dhe gjithçka është në lojë. Do të tentojmë gjithçka vetëm në një mënyrë, duke i marrë ndeshjet një e nga një, me vlerësimin e duhur.

Luani sërish me Kukësin, këtë herë për të shkuar në gjysmëfinale të Kupës. Besoni se do të merrni fitoren e radhës?

Ne nuk nënvlerësojmë asnjë kundërshtar dhe kësaj ndeshjeje i kemi dhënë vlerësim maksimal. Do të hyjmë për fitoren e radhës, megjithëse rëndësi ka kalimi në raundin tjetër.

Sa e rëndësishme është Kupa për Partizanin?

Çdo trofe i futbollit shqiptar është i rëndësishëm për Partizanin dhe Kupa nuk bën përjashtim, do të synojmë t’i shkojmë deri në fund.

Me cilin prej shokëve të ekipit shpenzoni më shumë kohë?

Përgjithësisht shpenzoj kohë me të gjithë, por më së shumti me Leart Zekollin, me të cilin na lidh më shumë edhe jeta jashtë fushës.

Kujt i dëgjohet më shumë fjala në skuadër?

Kapitenit Alban Hoxha. Është një ikonë e Partizanit, por edhe një lider në dhomat e zhveshjes. Nuk është nga ata që flasin shumë, por kur flet të gjithë heshtim dhe e dëgjojmë.

Po ai që bën më shumë shaka dhe ngre humorin e ekipit?

Valentino Murataj. Është shumë aktiv në atë çfarë ndodh gjatë stërvitjeve dhe ndeshjeve. Nuk i kursen as shakatë në momente të vështira. I zhdramatizon situatat.

DENIS LALA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"