EKSKLUZIVE/ “Fituam, por treguam se nuk jemi pjekur ende”, Kolela “kunja” rivalëve: Partizani bën detyrën, të tjerët…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 22, 2023 | 20:30

EKSKLUZIVE/ “Fituam, por treguam se nuk jemi pjekur ende”, Kolela “kunja” rivalëve: Partizani bën detyrën, të tjerët…

Partizani u kthye dje te fitorja pas baraz imit në derbi, duke “nënshtruar” Vllazninë me një fitore 2-1 në stadiumin “Arena e Demave”. Ky triumf u shoqërua edhe nga triumfi i Tiranës në Laç, çka bën që diferenca të mbetet 2 pikë dhe shanset për titullin të ulen. Në një prononcim ekskluziv për “Panorama Sport”, Kolela u shpreh se Partizani beson ende dhe do të vijojë të bëjë maksimumin për të fituar ndeshjet e mbetura, teksa nuk i kursen thumbat kur shprehet se në të kundërt do të bënin siç bën dikush tjetër, para se të largohej. Kjo frazë të jep mundësinë për disa interpretime, por versioni që të shkon i pari në mendje, të çon te ndeshja në Laç.

KOLELA 1

Një fitore ndaj Vllaznisë, që vjen pas atij barazimi në derbi. Sa e motivuar ishte skuadra sot?

Mendoj se përqendrimi ka qenë maksimal dhe kemi bërë një ndeshje të mirë, sidomos në pjesën e parë. Por siç na ndodh shpesh, arritëm të kalonim në avantazh dhe në pjesën e dytë nuk arritëm të ishim ajo skuadër, që u shfaqëm në fraksionin e parë.

Përse mendoni se i shfaq skuadra këto luhatje brenda ndeshjes?

Nëse do ta dija, do të të jepja një përgjigje. Ndoshta skuadrës i duhet akoma edhe pak kohë që të jetë e pjekur dhe të jetë një ekip, që luan 90 minuta.

Nuk patët Muratajn në mesfushë. Sa punë ju prishi sot?

Bilali, që e zëvendësoi, ishte një nga lojtarët më të mirë sot. Kur një lojtar është i skualifikuar, unë nuk e llogaris për skemat e lojës, kështu që Murataj nuk m’i prishi planet. I vetmi problem ishte që Bilali u dëmtua dhe për këtë u desh të bëja ndërrimin. Pjesën tjetër të zëvendësimeve isha i detyruar t’i bëja, sepse edhe kundërshtari bëri zëvendësime, duke aktivizuar një sulmues.

Çfarë mendimi keni për faktin që skuadra nuk mori asnjë karton të verdhë në këtë ndeshje?

Mendoj se ne nuk është se marrim shumë kartonë të verdhë. Jemi shumë të butë për sa u përket dyluftimeve apo agresivitetit. Sigurisht që mund të ndodheshim në vështirësi, për shkak se Vllaznia është një skuadër shumë e mirë dhe ne na duhej më shumë agresivitet, por me siguri sot ndoshta na ka mjaftuar ashpërsia që treguam.

Ju vjen keq për faktin se tashmë duhet të prisni nga të tjerët për titullin kampion?

Nëse luan një kampionat të gjatë prej rreth 9 muajsh dhe ke mbërritur në dy javët e fundit, ku ndodhesh 2 pikë pas Tiranës, nuk mund të flasësh vetëm për barazimin në derbi, por për ecurinë e gjithë sezonit.

Sa besoni se mund të shpalleni kampionë në këto dy ndeshje të fundit?

Ne vazhdojmë të besojmë, përndryshe nuk do të vijonim të fitonim. Nëse bëjmë gjithçka për t’i fituar dy ndeshjet e mbetura, do të thotë se ne besojmë. Në të kundërt do të bëjmë siç bën dikush tjetër…

DENIS LALA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"