EKSKLUZIVE/ Erzeni kryen goditjen e parë në merkato, firmos sulmuesi që u shpall kampion me Tiranën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 13, 2022 | 14:47

EKSKLUZIVE/ Erzeni kryen goditjen e parë në merkato, firmos sulmuesi që u shpall kampion me Tiranën

Mario Beshiraj është afrimi i parë zyrtar i Erzenit në merkaton e verës.

BESHIRAJ 1

Lajmin e marrëveshjes me sulmuesin e kanë konfirmuar për “Panorama Sport” burime zyrtare në klubin shijakas, por gjithashtu edhe vetë 22-vjeçari.

Beshiraj mbylli sezonin 2021-2022 te Tirana, duke u shpallur kampion. Ai u aktivizua në shtatë ndeshje dhe arriti të shënojë një gol në kampionatin e kaluar.

Ndërsa në Kupën e Shqipërisë me fanellën bardheblu realizoi dy gola në dy ndeshje të luajtura.

Beshiraj është një qendërsulmues tipik, i cili nuk pati hapësirat e duhura te kampionët në fuqi dhe tani shpreson që transferimi tek Erzeni t’i shërbejë për mirë jo vetëm atij, por edhe skuadrës shijakase, që rikthehet në elitë pas afro dy dekadash.

Klubi shijakas do të drejtohet në Superiore nga një emër i njohur i futbollit durrsak, siç është Xhevahir Kapllani.

Ky i fundit, bashkë me drejtuesit kanë nisur punën prej ditësh për të ndërtuar ekipin që do të përfaqësojë Erzenin në Superiore.

Ashtu siç ka paralajmëruar gazeta, përveç disa lojtarëve të rinj vendës, nën kontratë me klubin edhe për një sezon janë titullarë si Xhuljo Mehmeti, Dritmir Beci, Ersil Ymeri, Albi Xhebrahimi dhe Fadil Meta.

Pjesa tjetër e skuadrës që mbylli sezonin është pa kontratë dhe kësisoj, drejtuesit do të ulen në bisedime me ata lojtarë që ka në plane trajneri Kapllani.

Në ditët e ardhshme pritet të nisë procesi i rinovimeve, ndërsa paralelisht po punohet për afrimet, në mënyrë që skuadra të plotësohet sa më shpejt, pasi koha nuk premton.

Superiorja nis më 20 gusht për pak më shumë se një muaj, ende nuk dihet se cili do të jetë Erzeni i ri.

Për klubin e rëndësishme është që u zgjidhën problemet dhe lojtarët morën detyrimet nga sezoni i fundit.

Ndërkohë, sot në orën 18:00 është parashikuar që të zhvillohet stërvitja e parë në stadiumin “Tofik Jashari”.

Përveç Beshirajt, pritet të ketë edhe disa lojtarë të tjerë të rinj në këtë seancë.

Së fundmi është lakuar emri i portierit malazez, Jasmin Agoviç, me të cilin ka një akord në parim.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"