EKSKLUZIVE/ Eksperienca në Spanjë, Portugali dhe te Bajerni i Mynihut, zbulohen 4 lojtarët që priten të firmosin me Erzenin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 25, 2022 | 14:34


EKSKLUZIVE/ Eksperienca në Spanjë, Portugali dhe te Bajerni i Mynihut, zbulohen 4 lojtarët që priten të firmosin me Erzenin

Erzeni ka zhvilluar të shtunën në stadiumin “Tofik Jashari” miqësoren e dytë radhazi kundër ekipit të Kategorisë së Parë, Tërbuni.

ERZENI

Ndeshja ka përfunduar me fitoren e pastër të shijakasve 3-0, teksa golat janë shënuar nga Ergi Goga në pjesën e parë dhe dy herë nga i riu Marius Zena në fundin e lojës. Loja nis me qarkullim topi nga skuadra shijakase, që kontrollon gjithçka në 15 minutat e para.

Spikat sulmuesi Progon Maloku me dy goditje drejt portës, por pa finalizuar. Për golin e parë mendon 19-vjeçari Goga në minutën e 16-të, i cili konkretizon me një goditje me kokë pas krosimit perfekt të Osmanllarit në zonë.

Më pas, Xhika i afruar këtë merkato në portën e Erzenit, bëhet shpëtimtar i një goditjeje të Metanit për Tërbunin, duke evituar golin e barazimit. Minutat e mbetura të pjesës së parë nuk do të prodhonin më raste.

Pjesa e dytë nis me zëvendësime nga të dyja palët. Lojtarët mundohen të japin më të mirën e tyre, teksa disa prej tyre janë në provë. Afër fundit, pas një aksioni me protagonist Dren Gashin, i sapofuturi Zena nuk fal përballë portierit.

Do të ishte përsëri 17-vjeçari i ardhur nga të rinjtë e Dinamos, që shënon golin e tretë pas një diagonaleje nga krahu i djathtë.

Me shifrat 3-0 mbyllet i gjithë takimi, që u shërbeu shumë trajnerëve Kapllani dhe Alcani. Për Erzenin nuk luajtën në këtë takim mesfushorët Xhuljo Mehmeti dhe Fadil Meta, të cilët e ndoqën ndeshjen nga tribuna. Ndërkohë, mësohet se sulmuesi kosovar, Dren Gashi, nuk do të jetë më pjesë e ekipit, paçka se u konfirmua si afrim pak ditë më parë.

MERKATO – Tre lojtarë me origjinë nga Kosova, mesfushorët e qendrës Adnard Mehmeti dhe Enbija Shehu, si dhe sulmuesi Progon Maloku, janë drejt firmës me Erzenin.

293505254_1372780343248522_7714606115897451745_n

Enbija Shehu

Të tre lojtarët u aktivizuan në miqësoren e fundit me Tërbunin, ndërkohë që “Panorama Sport” mëson se 22-vjeçari Shehu ka arritur marrëveshjen dhe sot firmos pas negociatave që ka bërë menaxheri i tij, Serxho Mezi me drejtuesit shijakas.

Ai vjen pas eksperiencave në Spanjë me Real Avilan dhe Kroaci me Isrtën. Gjithashtu, tek Erzeni pritet të konfirmohet edhe braziliani Felipe Rajan, i cili luan si mesfushor i avancuar.

25-vjeçari është aktivizuar së fundmi në Ligën e Tretë portugeze me Real SC dhe Alverca.

Felipe e nisi si titullar testin e fundit ndaj Tërbunit.

PROGON MALOKUProgon Maloku

Ndërkohë, sa i përket Malokut, i cili gjithashtu mund të firmosë, bëhet fjalë për një qendërsulmues 22-vjeçar me origjinë nga Gjakova, që është rritur në Gjermani te akademia e Bajernit të Mynihut.

ER

RONALD FAJA – PANORAMASPORT.AL