EKSKLUZIVE/ “E vërteta për Kombëtaren dhe Partizanin”, rrëfimi special i rekordmenit Daja: Me Ballkanin një çmenduri, ju tregoj sekretet e suksesit tim (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 22, 2023 | 23:42

EKSKLUZIVE/ “E vërteta për Kombëtaren dhe Partizanin”, rrëfimi special i rekordmenit Daja: Me Ballkanin një çmenduri, ju tregoj sekretet e suksesit tim (E PLOTË)

Mjaftoi 1 vit në Kosovë për të hyrë në histori. Kampion me Ballkanin dhe kualifikim në grupet e Ligës së Konferencës. “Ishte një çmenduri”, thotë Ilir Daja ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ka fituar 4 tituj me 4 skuadra të ndryshme, ka bërë histori me Skënderbeun dhe Ballkanin në Europë, por sërish nuk e mori një ftesë për t’u bërë trajner i Kombëtares. “Duhet të kurojmë më mirë imazhin, duhet të shfaqemi pak më shumë në portale…”, thotë ai me një dozë ironie.

Ilir Daja

Si po shkojnë gjërat tani te Ballkani?

Mirë, jemi në fazë përgatitore në Turqi dhe po përpiqemi të bëjmë maksimumin gjatë këtyre ditëve për të qenë gati për pjesën tjetër të sezonit.

Titull kampion dhe grupet e Ligës së Konferencës… A e kishit menduar një arritje të tillë në Kosovë kur firmosët me Ballkanin?

Shikoni, unë e fillova aventurën një vit më parë te Ballkani, më saktë më 5 janar të vitit 2022. Kur kam startuar, pra gjatë bisedave të para që kam pasur me presidentin e klubit, Arsim Kabashin, më është kërkuar që në radhë të parë të dalim një herë në Europë dhe sigurisht titulli kampion.

Dhe ju e “tepruat”, sepse shkuat deri në fazën e grupeve…

(Qesh…) Sigurisht që nuk e kisha menduar se do të arrinim aty ku arritëm. Ishte një rezultat historik në disa aspekte: Ballkani për herë të parë fitoi titullin kampion, për herë të parë shkoi në Europë dhe për herë të parë Ballkani, gjithashtu ishte ekipi i parë kosovar, i cili shkoi në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës. Ishte një vit i çmendur sa u përket rezultateve, sepse edhe gjërat ndodhën shumë shpejt.

daja ilir

Cili ishte sekreti i këtij suksesi të jashtëzakonshëm?

Grupi i lojtarëve që kisha në dispozicion ka punuar jashtë mase dhe ka pasur një kohezion goxha të mirë, ku përveç lojtarëve me cilësi shumë të mira, ka pasur edhe lojtarë me shumë durim dhe me karakter e personalitet shumë të mirë sportiv. Padyshim, meritë të padiskutueshme ka edhe presidenti i klubit, sepse nuk ka zgjedhur vetëm lojtarë të mirë, por edhe me karakterin e duhur në aspektin njerëzor.

Nëse do ta krahasonit Ballkanin si skuadër me një nga ekipet e mëparshme me të cilat keni korrur suksese në Shqipëri, cila prej tyre është më e ngjashme?

Për nga madhështia e suksesit, por edhe për harmoninë në grup, mendoj se është më afër Skënderbeut. Shikoni, unë kudo ku kam drejtuar kam pasur në dispozicion skuadra të shkëlqyera, jo vetëm në aspektin sportiv, por edhe njerëzor. Mirëpo Skënderbeu ka shkuar në fazën e grupeve të Ligës së Europës dhe Ballkani e bëri këtë në Ligën e Konferencës. Duket si “copy paste” në rezultate, sepse edhe me Skënderbeun i fituam të gjitha: kampionat, Kupë dhe fazën e grupeve. Këtu nuk fituam Kupën, por koha e suksesit ishte gjithashtu e shkurtër. Ishte rezultat historik.

daja5

A kanë qenë këto skuadrat më të kompletuara që keni pasur në aspektin sportiv?

Po, më të kompletuarat si cilësi.

A i ruani raportet me lojtarët që keni drejtuar në të kaluarën?

Po, i ruaj kontaktet dhe me 99% të tyre kam raporte shumë të mira. Natyrisht, ka edhe ndonjë që ka mbetur i pakënaqur, por me shumicën dërrmuese ruaj raporte vërtetë të mira.

A u konfirmua në Kosovë se Ilir Daja është ai tip trajneri që duhet t’i lësh dorë të lirë që të korrë suksese?

Unë kam pasur liri në çdo klub ku kam punuar edhe para Ballkanit. Më shumë sesa liri, termi i duhur është pavarësi.

E keni pasur këtë edhe te Tirana dhe Partizani?

Po, padyshim që po. Shikoni, të mos ngatërrojmë pavarësinë e trajnerit me drejtimin e klubit. Unë kam pasur pavarësi brenda rolit të trajnerit. Nuk kam dashur kurrë të drejtoj një klub të tërë. Dhe këtë e kam pasur edhe tek Elbasani, Dinamo, Skënderbeu, Tirana dhe Partizani.

Pse nuk patët sukses te Tirana dhe Partizani, ndërsa në Kosovë në harkun e një viti hytë në histori?

Sepse ndryshojnë gjërat mes Partizanit, Tiranës dhe Ballkanit…

Çfarë ndryshon?

Durimi, ose më mirë të themi padurimi.

Që do të thotë?

Që do të thotë se Tirana dhe Partizani janë klubet më të mëdha në Shqipëri, së bashku me Dinamon. Rrjedhimisht ka edhe një padurim që sapo e merr drejtimin e tyre duhet të fitosh, por edhe të luash mirë. Ndonjëherë kjo nuk bëhet me nxitim, ose kur duan tifozët, stafet apo klubet. Do kohën e vet sado i zoti të jesh. Presioni ishte shumë i madh si te Tirana, ashtu edhe te Partizani, pavarësisht se historitë nuk përsëriten njëlloj në secilin klub.

Kjo ishte pengesa e vetme?

Ishte një element që nuk mund të anashkalohet. Por kishte edhe gjëra të tjera, sepse njerëzit në Shqipëri për fat të keq harrojnë shpejt.

Çfarë harrojnë?

Që vitin e parë te Partizani e humbëm titullin për një penallti… Po atë sezon kemi bërë gjëra të shkëlqyera, ndërkohë që merkaton e kishim të bllokuar… Mirëpo, këto u hodhën poshtë më pas me tre muaj të vështirë të sezonit pasardhës. Por fundja ky është futbolli.

A është e vërtetë se u larguat për shkak të tensionit që kishte mes jush dhe Olsi Ramës si drejtor?

Jo. Fatkeqësisht e kam dëgjuar shpesh këtë dhe nuk e di pse është krijuar ky perceptim. Por nuk është kështu, përkundrazi. Kam një raport shumë të mirë me Olsin (Ramën) dhe sa herë kthehem në Tiranë edhe mblidhemi për të kaluar pak kohë bashkë. Ruaj respekt për drejtuesit e Partizanit, sepse vërtetë kam pasur një bashkëpunim të mirë me ta.

Pse nuk ia dolët dot sezonin e dytë me Partizanin?

Sepse një pjesë e mirë e lojtarëve të rëndësishëm pasi nuk arritëm të merrnim dot titullin nuk pranuan të rinovonin. Kjo më pas solli ndryshime që kërkonin kohë, por siç thashë, Partizani dhe Tirana e kanë kohën të limituar për shkak të emrit që kanë.

Ç’ndjesi ju jep sot Partizani në krye të klasifikimit?

Më vjen mirë për Partizanin, por edhe për cilindo ekip që kam drejtuar. Por Partizani “trofeun” më të madh që ka fituar është stadiumi i ri dhe kompleksi modern që Demi ka ndërtuar.

Është sakrificë dhe arritje shumë e madhe. I kam dërguar mesazh përgëzimi Gaz Demit ditën që u inaugurua. Është shumë për një klub, nuk është pak. Më Demin kam një raport vërtetë të mirë, sepse ai të lë liri veprimi, kjo gjë dihet tashmë.

Si ju duket Partizani si skuadër?

Po ju rrëfej një sekret… kur punoja në Shqipëri, kisha parë shumë pak ndeshje nga kampionati kosovar. Edhe tani nuk shoh ndeshje nga Superiorja. Pashë vetëm derbin e fundit, isha në stadium dhe kaq.

Si ju duk derbi?

Nuk dua të bëj komente teknike dhe taktike, sepse nuk më duket e drejtë për kolegët që i drejtojnë ato ekipe.

Po diçka mund të thoni, sepse i keni drejtuar të dyja skuadrat…

Në kompleks m’u duk se strategjia që kishte zgjedhur Partizani për derbin ishte më e mirë. Vetëm kaq mund të them sepse nuk dua t’i analizoj cilësisht skuadrat.

A fitohet titulli me kaq shumë lojtarë të rinj sa ka sot Partizani?

Shikoni, ky është një projekt, i cili ka nisur që nga koha kur unë isha aty trajner dhe ka gjetur mbështetjen e drejtorit Olsi Rama. Duke parë atë që ndodhi në fund të sezonit të parë që unë drejtova, drejtuesit së bashku me ne stafin vendosën të ndryshonin strategji dhe të fokusoheshin te të rinjtë. Për dijeni, po ju them se Skuka para se të mbërrinte te Dinamo, ishte objektiv i Partizanit. Aty e keni sot Elton Marinin, drejtorin sportiv të klubit dhe mund ta pyesni.

Edhe Matondo ka qenë një lojtar i piketuar nga Olsi Rama, por kishte një kërkesë për t’u kthyer në vendin e tij dhe gjërat u zgjatën. Edhe për Hadrojin ka pasur interesim konkret qysh atëherë. Pra, ishte plan i klubit dhe po zbatohet më së miri tani.

Çfarë ka më mirë Kosova se Shqipëria dhe anasjelltas?

Në aspektin sportiv?

Po, në aspektin sportiv…

Shqipëria ka infrastrukturën. “Air Albania” të bën të ndihesh sikur je në një vend të zhvilluar të Europës, por shumë komodë janë edhe stadiumet e Elbasanit, Shkodrës dhe Kukësit. Në Kosovë mund të luash vetëm në Prishtinë një futboll cilësor dhe në stadiumin e Llapit. Edhe ky është një impiant i investuar nga një person, pra lekët e familjes. Nuk ka përfunduar ende, por mund të krahasohet me atë të Kukësit. Në këtë pikë Shqipëria është më para dhe duhen përgëzuar të gjithë faktorët, federata, shteti dhe të gjithë ata që kanë dhënë një kontribut

Meqë përmendët federatën, a e prisnit një ftesë për t’u bërë trajner i Kombëtares?

Tani është zgjedhur trajneri i ri i Kombëtares dhe nuk ia vlen të bëjmë komente. I uroj Silvinjos të ketë sa më shumë suksese dhe të çojë ekipin tonë kombëtar sa më lart.

Pra, nuk ndiheni keq që keni arritur gjithë këto suksese në karrierë, por nuk jua japin shansin për kombëtaren…?

Nëse do të më kishit pyetur para se të zgjidhej trajneri i ri, mund të kisha folur gjatë për këtë temë, por tani nuk ia vlen më.

Pse nuk ia vlen?

Sepse nuk i shërben as Kombëtares dhe as ambientit. Kombëtarja është e të gjithëve dhe ai, i cili e ka marrë shpresoj që të na çojë sa më lart. E them me shpirt këtë. Po ashtu, të njëjtën gjë i uroj edhe Zhiresit në kombëtaren e Kosovës. Shpresoj që ta përmirësojë të arrijë rezultate sa më të mira dhe të shkojë sa më larg.

Çfarë duhet të bëjë një trajner shqiptar më shumë se ajo që keni bërë ju për të marrë drejtimin e Kombëtares?

Ndoshta duhet të kurojë më mirë imazhin e tij.

Në ç’kuptim?

Shikoni, trajnerët e Kombëtares përgjithësisht janë seleksionues. Përjashto Edi Rejën që kishte shumë eksperiencë, të tjerët më së shumti më janë dukur menaxherë. Pra, menaxhues të grupit dhe të lojtarëve sesa trajner në kuptimin teknik apo taktik. Në këtë pikë, ne trajnerët shqiptarë duhet të bëjmë më shumë për imazhin tonë. Të jemi më të pranishëm nëpër portale, në rrjetet sociale, të dukemi edhe ne si ata (të huajt).

Vetëm kaq?

Po, vetëm kaq. Nuk shoh ndonjë gjë tjetër që mund të bëjmë…

E bëni dot ju këtë?

Druaj që jo… (qesh). Unë jam ky që më njihni prej vitesh, nuk ndryshoj dot tani. Por ama unë një kombëtare të vogël e kam drejtuar në karrierën time dhe për këtë jam shumë krenar.

Për cilën kombëtare bëhet fjalë?

Për faktin që jam i vetmi trajner që i kam drejtuar të tria ekipet e kryeqytetit, më të titulluarat në Shqipëri. Por ama kam drejtuar edhe skuadrat e qyteteve me shumë traditë në futbollin shqiptar, siç është Skënderbeu, Flamurtari, Elbasani, Kavaja… Nuk ndihem mirë që po e përmend, por jam i kënaqur që kam fituar edhe 4 tituj me 4 skuadra të ndryshme. Thënë këtë, vërtetë mendoj se kurimi i imazhit mund të ishte një gjë që ne trajnerëve shqiptarë të fillonin të na llogarisnin edhe për Kombëtaren.

Nuk më thatë çfarë ka më mirë Kosova se Shqipëria?

Ka më mirë disiplinën. Të rinjtë këtu (në Kosovë) janë më të duruar, më të përulur dhe më pak të llastuar. E kam fjalën në krahasim me bashkëmoshatarët e tyre në Shqipëri.

Pse e thoni këtë?

Sepse e kam parë që edhe kur ndryshojnë ngarkesat fizike apo teorike në periudha të caktuara, ata nuk ankohen apo nuk reagojnë “me përtesë”. Kanë edukatë pune më të mirë se në Shqipëri.

Daja Ballkani

Si është raporti juaj me Nderim Nexhipin, drejtorin e Ballkanit?

Shumë i mirë. Është një faktor shumë i rëndësishëm i këtij klubi. Ai është një drejtor që i qëndron pranë skuadrës gjithnjë dhe me mua ka qenë shumë bashkëpunues. Madje nëse nuk do të kishte qenë telefonata e tij një ditë pas u ndava me Partizanin, ndoshta nuk do të isha bërë pjesë e Ballkanit dhe nuk do të kishin ndodhur të gjitha këto që ndodhën…(qesh). Bën një punë të madhe dhe është gjithnjë prezent aty. Ndoshta puna e tij është reklamuar më pak sesa e meriton vërtetë.

Po me presidentin e klubit si i keni marrëdhëniet?

Korrekte dhe shumë të mira. Gjithnjë kam pasur raporte korrekte me presidentët. Këtu te Ballkani presidenti është përpjekur gjithnjë të plotësojë çdo nevojë të skuadrës dhe të bëjë investimet e duhura për të qëndruar gjithnjë konkurrues.

Pse u “ftohët” me Shqipërinë dhe pse refuzuat mediat shqiptare për afro 1 vit…

Unë e di shumë mirë që për një trajner, ka edhe presion të jashtëm, ose më saktë ka të bëjë shumë raporti me mediat. Me mediat unë kam pasur gjithnjë një raport korrekt, por e di që nuk jam shumë mediatik.

Thënë këtë, më duhet ta pranoj se nuk u ndjeva mirë që pasi u largova nga Partizani, shumë aty “harruan” praktikisht çdo gjë që kisha bërë dhe më përmendnin vetëm tre muajt e fundit me Partizanin. Nuk u ndjeva mirë dhe vendosa që për një periudhë të fokusohem vetëm te puna dhe jo te media. Gjithnjë kam qenë i parimit se një trajner duhet që të jetë më shumë në fushë sesa në studio. Kjo është bindja ime dhe nuk ndryshon

Çfarë ndodhi 3 muajt e fundit te Partizani?

Ua thashë, 7-8 lojtarë nuk pranuan të rinovonin dhe na u desh të bënim ndryshime të mëdha. Por me thënë drejtën loja nuk mungonte, edhe pse kemi pësuar 8 gola në atë periudhë që… oh zot. Nuk di ç’të them se vetëm stafi teknik nuk kishte përgjegjësi aty, por kështu është kjo punë, në fund paguan trajneri.

ILIR DAJA

Cili është mesazhi më i bukur që keni marrë pas triumfit me Ballkanin?

Mesazhi më i bukur që kam marrë me Ballkanin pas atij suksesi është që gjysmat e lojtarëve sot që kam në dispozicion i kërkojnë klube europiane. Kjo është një tjetër arritje e madhe për mua si trajner dhe për drejtuesit e klubit.

Daja

Si është jeta në Suharekë?

Shikoni, Suhareka nuk është si Prishtina apo Prizreni, pra qytete të mëdha, por është një qytet që më ka pritur ngrohtë dhe njerëzit më respektojnë shumë, sepse janë vërtetë me zemër të madhe. Më kujtojnë tifozët korçarë, sepse edhe aty jam ndier vërtetë shumë mirë dhe ma kanë bërë jetën më të lehtë. Natyrisht, edhe rezultatet kanë qenë të mira, sepse pa rezultate nuk ia del dot. Në tërësi ishte një vit i mbushur me stres, por me momente të paharruara, sepse ato që kemi arritur kanë qenë një “çmenduri”.

JETMIR HALILAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"