EKSKLUZIVE/ Drejt “divorcit” me Vllazninë, zbulohen gjashtë lojtarët që janë me “valixhe në duar”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 18, 2022 | 18:45

EKSKLUZIVE/ Drejt “divorcit” me Vllazninë, zbulohen gjashtë lojtarët që janë me “valixhe në duar”

“Kemi një grup lojtarësh që u përfundon kontrata dhe një pjesë e tyre mund të largohen. Jemi në fazë negociatash”. Kështu u shpreh presidenti i Vllaznisë, Alban Xhaferi, në ditën e prezantimit të trajnerit Mirel Josa. Prej ditësh në klubin shkodran ka nisur të mendohet që tani për skuadrën e sezonit të ardhshëm.

VLLAZNIA 1

Natyrisht lëvizjet do të jenë të mëdha në hyrje dhe dalje, pasi vetë drejtuesit kanë pranuar gabimet gjatë merkatos së verës në vitin e kaluar.

Por çfarë do të ndodhë pas përfundimit të këtij sezoni dhe cilët janë futbollistët që pritet të mbyllin aventurën në Shkodër?!

“Panorama Sport” zbulon nga burime të sigurta në klub se bëhet fjalë për të paktën gjashtë lojtarë, duke filluar me mesfushorin Ardit Krymi, të cilit i skadon kontrata me Vllazninë dhe del i lirë pas mbylljes së sezonit.

Mësohet se lojtari ka firmosur një parakontratë me klubin bjellorus, Shaktjor Soligorsk, aty ku deri tri vite më parë luante Elis Bakaj.

Klubi shkodran nuk do të përfitojë asgjë, pasi Krymi është 25 vjeç dhe kësisoj ekipi që merr shërbimet e tij nuk jep dëmshpërblim për taksën e formimit.

Titullari tjetër që pritet të largohet është portieri Bojan Zogoviç, të cilit gjithashtu i përfundon kontrata dhe gjasat për rinovimin janë të pakta.

Madje, së fundmi mësohet se Vllaznia është interesuar për shërbimet e portierit të Skënderbeut, Bekim Rexhepi. Ndërkohë, në prag “divorci” me klubin janë edhe mesfushorët boshnjakë: Zinedin Mustedanagiç dhe Elvedin Heriç.

Të dy erdhën me bujë në Shkodër, por nuk bënë diferencën dhe më së shumti qëndruan në stol. Në listën e largimeve, pavarësisht cilësive që ka, është edhe sulmuesi kroat, Ante Aralica.

Autori i 8 golave është nën kontratë edhe për sezonin e ri, por ka gjasa që të ketë një ndërprerje konsensuale.

Një tjetër dilemë e madhe është edhe e ardhmja e brazilianit Viktor da Silva, të cilit i skadon kontrata, por klubi kërkon ta mbajë.

Cilësitë e tij dihen tashmë, por në këtë moment çdo gjë varet nga lojtari dhe gjasat për një rinovim të marrëveshjes duken të pakta.

RISHIKIMI I KONTRATAVE

Drejtuesit e klubit kanë edhe një listë lojtarësh, me të cilët do të ulen të bisedojnë për të ardhmen, pasi në marrëveshjet e firmosura më parë, parashikohet rishikimi i kontratës së tyre.

Një prej titullarëve është edhe sulmuesi i krahut, Liridon Latifi, i cili është një prej lojtarëve më të paguar në skuadër.

Në kontratën e lojtarit ka një klauzolë ku për vitin e dytë duhen rishikuar gjërat.

Nuk dihet nëse Latifi do të kërkojë të vijojë bashkëpunimin apo do të largohet drejt një klubi tjetër që mund të japë një dëmshpërblim te Vllaznia.

Po ashtu do të diskutohen edhe marrëveshjet me mbrojtësin Darko Bulatoviç, si dhe sulmuesit Ardit Hoxhaj e Fahrudin Gjurgjeviç.

Ndërkohë, nga grupi aktual ka edhe lojtarë që janë nën kontratë për një tjetër sezon. Kapiteni Erdenis Gurishta ka edhe një vit kontratë, por në drejtim të tij nuk mungojnë ofertat, madje kohët e fundit ka pasur një insistim të Tiranës.

Sigurisht që Vllaznia kërkon një shumë të majme për lënien të lirë të mbrojtësit. Edhe Esin Hakaj është në planet e klubit për sezonin e ri, por palët duhet të ulen në bisedime për të rishikuar kontratën. E njëjta gjë mund të thuhet për titullarë si Mevlan Adili dhe Fjoart Jonuzi.

Të dy janë në skadencë kontrate dhe palët duhet të bisedojnë për të ardhmen. Në rast fitimi të Kupës së Shqipërisë, gjërat mund të bëhen edhe më të lehta për klubin, pasi pjesëmarrja në Europë do t’i jepte frymëmarrje nga ana financiare.

ADMIR URUÇI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"