EKSKLUZIVE/ Bie alarmi për Xhuliano Skukën, ja sa do të qëndrojë jashtë fushave

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 22, 2024 | 14:17

EKSKLUZIVE/ Bie alarmi për Xhuliano Skukën, ja sa do të qëndrojë jashtë fushave

Bie alarmi për Xhuliano Skukën. Sulmuesi i Partizanit pësoi një dëmtim muskulor në ndeshjen e së martës ndaj Kukësit për Kupë dhe iu desh ta linte fushën e lojës pas vetëm 20 minutash, duke dalë nga fusha e blertë me barelë, pasi e kishte të pamundur të ecte.

skuka

Indiciet e para krijuan dyshimet e një këputjeje të mundshme a tërheqjeje të gradës së tretë, të shtyra edhe nga fakti që lojtari reklamonte dhimbje mjaft të forta. Dje sulmuesi ka qenë i pranishëm në stërvitje, të cilën e ka ndjekur nga tribuna, teksa gjatë darkës ai i është nënshtruar ekzaminimeve për të mësuar shkallën e dëmtimit dhe kohën që mund ta detyrojë të qëndrojë jashtë fushave. E pas vizitave, ka rënë edhe alarmi për një dëmtim të rëndë, që mund t’i rrezikonte edhe “Final 4”.

Burime pranë klubit të kuq bëjnë me dije për “Panorama Sport” se Skuka ka pësuar një tërheqje të gradës së parë. Të tilla dëmtime kërkojnë rreth 2 deri në 3 javë kohë rikuperimi, me dibranin, që synon të kthehet pas 14 ditësh. Ky dëmtim duket sikur e ndalon Skukën në një moment kur kishte kapur më në fund formën e tij maksimale. Gjithsesi, dibrani ka kohë të mjaftueshme për tu rikuperuar dhe për të qenë gati për javët vendimtare të kampionatit dhe në fund për “Final 4”.

Nëse Skuka kthehet në harkun e dy javëve, do të humbiste sfidën e radhës ndaj Skënderbeut, si dhe dy betejat në kampionat dhe Kupë ndaj Kukësit, për tu kthyer në ndeshjen ndaj Erzenit më 10 mars. “Dhimbje koke” për trajnerin Shehi, i cili nga ana tjetër i gëzohet gjendjes së Bintsukës, i cili nga sa trajneri ka bërë me dije, pritet të kthehet në ditët në vijim. Keko vijon të mungojë dhe pritet të jetë jashtë për më shumë se dy javë.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"