Edhe Hysaj i del në krah De Biazit: Nuk prishet grupi për dy lojtarë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 27, 2017 | 18:14

Edhe Hysaj i del në krah De Biazit: Nuk prishet grupi për dy lojtarë

Elseid Hysaj mbështet Xhani De Biazin në përplasjen me Taulant Xhakën. Mbrojtësi ishte përkrah trajnerit në daljen e sotme para mediave në prag të miqësores kundër Bosnjë-Hercegovinës në “Elbasan Arena”.

Për 23-vjeçarin shkodran, i cili me shumë gjasa nesër do të jetë kapiten, largimi i një apo dy lojtarëve nuk e prish grupin e Kombëtares. Sipas tij, trajneri është fuqiplotë në përzgjedhjen e futbollistëve që grumbullohen dhe që zbresin në fushën e lojës.

Deklaratat e Hysajt:

Hysaj konference

Kombëtarja, e bashkuar

“Në Shqipëri flitet më shumë për gjërat e vogla që ndodhin, sesa për skuadrën. Nga 23 lojtarë që ka trajneri, nuk besoj se dy prej tyre mund të prishin gjithë grupin e Kombëtares. Grupi nuk do të prishet për dy lojtarë, ato janë zgjedhje të trajnerit. Janë 23 lojtarë dhe të gjithë duan të luajnë. Ka nga ata që nuk kanë luajtur kurrë e që rrinë urtë. Këto gjëra i di trajneri, është ai që vendos kush luan e kush jo, kush vjen në Kombëtare e kush jo.

Ne jemi të përqendruar të stërvitemi, të luajmë mirë dhe të kërkojmë gjithnjë më shumë. Jemi të gjithë çuna të rinj, mbrojtja është e tëra e re dhe besoj se me pak më shumë përvojë do të kemi një të ardhme shumë më të mirë”.

Tifozët

“Kot nuk quhen ultras. Ata ndonjëherë mund të bëjnë edhe pak rrëmujë, por nuk e dimë mirë arsyen pse i bënë ato veprime në Itali. Them se gjithmonë kemi pasur gjithmonë tifozë shumë të mirë, shumë të qetë, që na kanë ndihmuar shumë në të gjitha ndeshjet. Besoj që janë ngjarje që ndodhin rrallë në futboll; ndodhi një herë dhe nuk mendoj se do të ndodhë përsëri.

Është bukur të luash në shtëpi në një stadium plot me tifozë. Besoj se nesër do jenë të pranishëm, sepse të gjithë e duan Kombëtaren. Unë besoj te shqiptarët, besoj se tifozët tanë do na mbështesin gjithmonë, edhe në momentet më të këqija, dhe ne i falënderojmë”.

Shiriti i kapitenit

“Normalisht që edhe ky është një objektiv për mua. Kjo është kënaqësi personale që nëse ndodh, do jem shumë i lumtur. Besoj se po tregoj shumë gjëra të mira për trajnerin dhe për skuadrën. Do vazhdoj gjithnjë kështu, duke dhënë maksimumin për këtë Kombëtare. Jam i bindur që edhe lojtarët e tjerë do të bëjnë të njëjtën gjë. Të tjerat janë punë të trajnerit, të shohim si do shkojë”.

Bosnja

“E dimë mirë që Bosnja ka shumë lojtarë të mirë si Xheko, Pjaniç, Luliç, Zukanoviç, të cilët luajnë në Serinë A. Prandaj jemi të informuar dhe trajneri na ka përgatitur mirë për t’u përballur me ta. Besoj që do bëjmë mirë, pastaj të shohim si do shkojë ndeshja. Ne lojën e bëjmë për të fituar. Do jetë lojë e bukur; ne do bëjmë gjërat që kemi provuar në stërvitje, pastaj të shohim. Si miqësore që është, besoj se do provohen edhe lojtarë të rinj. Është mundësi e mirë që të gjithë të jenë në fushë e të provojnë veten”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"