Duro beson tek autokritika kundër Flamurtarit: Lushnja ka nxjerrë mësime për golat e pësuar!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 8, 2022 | 10:48

Duro beson tek autokritika kundër Flamurtarit: Lushnja ka nxjerrë mësime për golat e pësuar!

Lushnja është gati për Flamurtarin. Kërkohet fitorja, ndonëse në fushë do të zbresin me mungesa të rëndësishme. Për t’i dhënë zemër ekipit, mendon vetë Klodian Duro.

klodian duro

Trajneri beson se kthesa do të vijë, pasi lojtarët kanë nxjerrë mësimet e duhura. Gjatë një deklarate të dhënë enkas për “Panorama Sport”, ai saktëson se nuk kanë asnjë lloj presioni, e megjithatë sot kanë një qëllim: të tregojnë se janë “gjallë”.

“Kemi punuar gjithë javën për të përgatitur sfidën. Dje e zhvilluam seancën në të njëjtin orar me ndeshjen. Jam shumë i kënaqur nga të gjithë futbollistët. Janë stërvitur shumë mirë dhe kanë dhënë maksimumin gjatë gjithë javës. Ne jemi të lirshëm, nuk kemi asnjë lloj presioni.

E kemi treguar jo vetëm në fushën tonë, por në çdo takim, se do të japim maksimumin dhe do të marrim maksimumin. Jam shumë besimplotë, që nesër (sot) ekipi do të japë gjithçka për të marrë fitoren.

Për t’u treguar të gjithëve që Lushnja është ‘e gjallë’. Do të jetë shumë e fortë përballë çdo ekipi që synon kreun. Verdhejeshilët do të jetë gjithmonë aty”, deklaroi fillimisht elbasanasi.

MUNGESAT – Te Lushnja janë të konfirmuara mungesat e Ervis Gjylës për arsye dëmtimi si dhe të kapitenit Canka dhe Ledion Ruços të skualifikuar:

“Sigurisht që janë lojtarë të rëndësishëm. Si kapiteni Canka dhe Ruço janë dy lojtarë të formacionit.

Por unë ua kam thënë çunave që në fillim, ky është futbolli, do të kemi edhe mungesa dhe në çdo moment duhet të jemi të gjithë grup. Ne nuk kemi 11 lojtarë që përbëjnë formacionin, por kemi 21-23 lojtarë.

Duhet ta quajmë veten pjesë e formacionit. E dimë që kemi deficite, por jemi mësuar edhe kështu. Që në fillim nuk e kishim Dacin, i dëmtuar, që më pas u kthye. Në Berat humbëm edhe Gjylën.

Kemi gjithë potencialin e mundshëm, ndaj të gjithë do të japin maksimumin për të fituar këtë duel”.

FLAMURTARI – Kryepankina verdhejeshile, pasi vlerësoi kundërshtarin, foli edhe për numrin e lartë të golave të pësuar në këto katër javë. “Flamurtarin ne e respektojmë. Është një ekip që ka bërë histori në futbollin shqiptar.

Më vjen keq që si ata dhe ne, ndodhemi në këtë kategori. Kjo është e bukura e futbollit që nesër (sot) përplasen dy ekipe me histori. Unë kam respektin maksimal për Flamurtarin dhe për Vlorën.

Por kemi bërë dhe do të japim maksimumin, që të fitojmë ndeshjen me meritë. Sigurisht që jemi përgatitur edhe për çdo situatë të lojës. Kemi nxjerrë edhe ne ato mësimet tona për mënyrën e pësimit të golave.

Mendoj që do të fitojmë, madje edhe pa pësuar gol. E megjithatë, do të isha i kënaqur vetëm me pikët në fund”, përfundoi Duro, që ftoi edhe tifozët në stadium.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"