Dukiç: Ndihem mirë te Korabi, e sigurt mbijetesa në Superiore

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 31, 2016 | 16:10

Dukiç: Ndihem mirë te Korabi, e sigurt mbijetesa në Superiore

Midis futbollistëve që janë afruar këtë sezon te skuadra e Korabit të bie në sy dhe 30-vjeçari nga Zadari, Dushko Dukiç, i cili në sezonin e fundit ishte pjesë e Bylisit, në Kategorinë Superiore. Pas një eksperience të gjatë në futbollin kroat, por edhe jashtë saj, mbrojtësi vendosi që karrierën ta vazhdojë në Shqipëri, ku pas Bylisit ka zgjedhur Korabin si destinacionin e radhës.

dukic3

Në një prononcim të dhënë për mediat, Dukiç ka pohuar se është ambientuar me futbollin shqiptar, si dhe ka folur me superlativa edhe për skuadrën dibrane, me të cilën ka vendosur të luajë në sezonin e ri.

“Unë kam rreth 6 muaj që jam shpërngulur në Shqipëri dhe kam respekt të madh për kampionatin e këtushëm. Arrita që të përshtatem që në fillim me futbollin shqiptar. Tani sapo kam ardhur te një klub debutues në Kategorinë Superiore dhe ndjehem mjaft mirë te Korabi.

dukic2

Atmosfera pranë këtij klubi është mjaft e ndezur, jo vetëm nga merkatoja e bujshme me emra lojtarësh me eksperiencë, por edhe nga tifozëria e zjarrtë dibrane. Ndihem mirë, pasi mikpritja ndaj meje ka qenë e ngrohtë. Të gjithë më respektojnë dhe më entuziazmojnë që unë të ndihem lirshëm e pa ndrojtje.

Mendimi im për Korabin është pozitiv dhe për këtë arsye vendosa të jem pjesë e kësaj skuadre. Puna po ecën shumë mirë si në stërvitjen e ekipit po ashtu edhe në konsolidimin dhe njohjet me njëri-tjetrin. Na ndihmoi shumë grumbullimi 1-mujor në Peshkopi, pasi tani ndihemi më të harmonizuar.

dukic

Për momentin, objektivi i skuadrës është vetëm mbijetesa, pasi bëhet fjalë për një klub të sapongjitur në elitë dhe pa shumë përvojë. Për mendimin tim, ky objektiv është më se i realizueshëm, pasi nisem nga eksperienca e lojtarëve që ka Korabi. Kam bindjen se me merkaton që kanë kryer drejtuesit e klubit, mbijetesa në Superiore do të jetë e sigurt”, u shpreh mbrojtësi Dushko Dukiç.

Merkatoja e Korabit ka qenë voluminoze, ku është ndërthurur elementi me eksperiencë me lojtarët e rinj dhe të perspektivës. Shpresohet që falë përvojës së “veteranëve” por edhe egos së të rinjve, Korabi i sezonit 2016-2017 të jetë surpriza më bukur e Kategorisë Superiore. Dibranët e nisin sezonin e ri përballë Laçit, ku që në fillim disa lojtarë të Korabit përballen me të shkuarën te skuadra kurbinase.

ABDULLA DUSHKU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"