Dueli ndaj Shkumbinit, flet lojtari i Besës: U hap një derë për elitën, fitorja detyrim!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 13, 2022 | 11:52

Dueli ndaj Shkumbinit, flet lojtari i Besës: U hap një derë për elitën, fitorja detyrim!

Te Besa janë më të qetë dhe këtë e reflektonte qartazi edhe Dorjan Bubeqi dje në stërvitje. Nëse në javët e fundit ka pasur vazhdimisht mungesa, këtë herë do të ketë një grup më të plotë (duke përjashtuar të pezulluarin Henri Sulovari). Ledjon Muçaj e quan detyrë shtëpie fitoren me Shkumbinin, ndërsa për “Panorama Sport” flet edhe për objektivat:

besa

“Pasi u larguam nga vendet e para, tashmë po synojmë edhe një tjetër ‘derë’ për ngjitjen. Një ndeshje të vetme, Besa e nxjerr me këdo dhe është e aftë të mundë këdo. Po për të arritur te vendi i 6-të, na duhet fillimisht t’i marrim sfidat me radhë. Në stërvitje kam dëgjuar shokët të thonë se Shkumbinin e mundim kollaj.

I jam kundërvënë, pasi nuk ka më kundërshtar të dobët. Jo se dyshoj te forca jonë, por i druhem ndonjë nënvleftësimi. Kundërshtari mundet vetëm nëse ne luajmë lojën tonë. Ndryshe nga Fieri, ndaj peqinasve do të jemi të plotë, pasi Meçja, Hoxha e Dobjani kanë pranuar të sakrifikojnë vetëm që ekipi të jetë i plotë.

Me një grup të plotë, fitoren me Shkumbinin e quajmë detyrë shtëpie. Vijmë pas 1 humbjeje të pamerituar në Fier dhe çdo rezultat tjetër veç fitores do të na fuste në telashe.

Jo se mund të biem nga Kategoria e Parë, por së pari do të na ‘digjte’ synimin për vendin e 6-të dhe do të krijonte stres te futbollistët për javët e mbetura. Për të gjitha këto, ballafaqimi me Shkumbinin merr vlera reale dhe grupi i plotë futet në fushë me besim e bindjen se do ta fitojmë këtë takim”, përfundoi Muçaj.

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"