Dueli me Tërbunin, Kanarsa: Lojtarëve u kërkova të luajnë pa frikë në Pukë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 12, 2022 | 10:41

Dueli me Tërbunin, Kanarsa: Lojtarëve u kërkova të luajnë pa frikë në Pukë

Trajneri i Apolonisë, Juri Kanarsa, është i kënaqur me ecurinë që ka pasur ekipi së fundmi, pasi gjërat po funksionojnë mirë në të dyja fazat: sulm dhe mbrojtje. Përpara transfertës së Pukës, për “Panorama Sport”, trajneri italian i Apolonisë deklaroi:

Juriy KANARSA

“Suksesi nuk ka një formulë fikse, por kryefjala jonë është puna e përditshme për të përmirësuar veten. Apolonia tani po bind në sulm dhe në mbrojtje, por nuk jemi në vendin e dëshiruar në renditje.

Ndeshjet e fundit kanë treguar se skuadra është rritur ndjeshëm. Dua të them me bindje që ky grup lojtarësh mund të bëjë më mirë, sepse i ka cilësitë dhe mundësitë për të përballuar çdo kundërshtar. Tërbunin e kemi përgatitur me shumë kujdes dhe e vlerësojmë maksimalisht.

E dimë që nuk do të jetë një ndeshje e lehtë, por jemi të gatshëm për të marrë maksimumin. Gjatë seancave stërvitore u kam thënë lojtarëve që të luajnë pa frikë në Pukë, sepse askush nuk është i favorizuar pavarësisht faktorit fushë.

Nëse ata na mundën në Fier në fazën e parë, atëherë edhe ne i kemi të gjitha mundësitë për të fituar në Pukë. Prandaj, ne do të luajmë fort dhe do të synojmë marrjen e tri pikëve. Theksoj se jemi dyfish të motivuar për suksesin e radhës në transfertë”.

HILMI SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"