“Dua trofe, pa frikë ndaj Kukësit”, Martini “snobon” Tiranën: Verlindorët janë ekipi më i fortë në kampionat

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 2, 2020 | 13:23

“Dua trofe, pa frikë ndaj Kukësit”, Martini “snobon” Tiranën: Verlindorët janë ekipi më i fortë në kampionat

Teuta është e “fik suar” për trofe, por që t’ia dalë, fillimisht duhet të kalojë Kukësin. Dhe pikërisht sot, do të zbresin në stadiumin “Elbasan Arena” për të luajtur të parën ndeshje gjysmëfinale për llogari të Kupës së Shqipërisë. Durrsakët e dinë që përballë kanë një kundërshtar të fortë, madje është vetë Edi Martini që thekson se ata janë ekipi më në formë në Shqipëri. E megjithatë, kjo nuk e pengon që të besojë dhe tentojë kualifikimin. Gjatë një interviste të dhënë enkas për “Panorama Sport”, trajneri është besimplotë për kalimin e kësaj faze, ndërsa evidenton se te lojtarët ka parë dëshirën e duhur për të kaluar me sukses verilindorët.Edi Martini

Profesor, a ishte kundërshtari që donit në gjysmëfinale?

Të tria skuadrat që kaluan në gjysmëfinale janë të vështira, ndaj nuk kisha ndonjë preferencë të veçantë për shortin. Çdo ekip ka arritur me meritë deri në këtë fazë të Kupës së Shqipërisë në fund të fundit. Gjithsesi, jam i vetëdijshëm që Kukësi është favorite për këtë sezon. Por kjo nuk na pengon që të luajmë dhe luftojmë për të arritur objektivin tonë.

Ishin pak ditë në dispozicion për ta përgatitur takimin. Mendoni se mund ta përballojë Teuta edhe një tjetër 90-minutësh?

Unë jam i bindur që ekipi ka forcën, kurajën dhe shpirtin e garës për t’u paraqitur në fushë sa më mirë të jetë e mundur. Ne e dimë që kemi përballë një kundërshtar shumë të fortë. Për mua personalisht, është ekipi më i mirë në Shqipëri, pavarësisht se ndodhet në vendin e dytë në klasifikim. Ne jemi të përgatitur dhe duke parë angazhimin që çunat kanë në stërvitje, jam besimplotë.

Do luhet në orën 20:45, ashtu sikundër dëshironit…

Është në të mirën e lojtarëve, pasi sakrifica që ata kanë bërë gjatë kësaj periudhe është shumë e madhe. Temperaturat në orën 17:30 janë shumë të larta, ndaj unë mendoj se është bërë zgjedhja e duhur.

Mendoni të luani me të njëjtën skuadër si në ndeshjen e fundit me Vllazninë, apo do të ndryshoni diçka në 11-she?

Nuk e kam vendosur ende. Ne përgatitemi për çdo ndeshje në varësi të kundërshtarit. Gjithsesi, kemi edhe pak orë për të saktësuar formacionin. Mund të ketë ndonjë lëvizje, por ato nuk do të jenë të shumta.teuta

Lorenco Vila u shpreh se po krijohet dhe po shënohet pa fund njëherësh, pasi po punoni 30 minuta pas çdo stërvitjeje… Është ky sekreti i efektivitetit para porte?

Efektiviteti vjen nga dashuria dhe dëshira që këta djem kanë për futbollin, për stërvitjen dhe ekipin e Teutës. Unë e kam thënë dhe me parë, që gjithkush e kupton atë që duhet të bëjë dhe lavdi Zotit djemtë tanë janë në momentin më të mirë të tyre. Janë të përqendruar maksimalisht dhe punojnë me dëshirë për të dhënë më të mirën në fushë. Ky mendoj se është sekreti.

Si mendoni se mposhtet Kukësi. A mund t’ua prishë planet për trofe në 100-vjetorin e klubit, nisur nga fakti që edhe Kukësi e do një kupë për të shpëtuar investimet e këtij sezoni?

Kupa është një arsye më tepër dhe një kënaqësi e madhe. Ashtu sikurse Kukësi, edhe ne kemi të njëjtën dëshirë, ta fitojmë një kupë. Loja do të jetë shumë e fortë. Do të ndeshemi me ekipin më të mirë në Shqipëri dhe që e respektojmë maksimalisht. Frikë nuk kemi nga asnjë skuadër. Do të përballemi denjësisht me kuksianët.

ZAMIR QYPI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"