“Dinamo kompetitive, nuk e diskutojnë ngjitjen”, ish-kapiteni Allmuça vlerëson afrimet në merkato: Do të bëjnë diferencën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 23, 2022 | 23:16

“Dinamo kompetitive, nuk e diskutojnë ngjitjen”, ish-kapiteni Allmuça vlerëson afrimet në merkato: Do të bëjnë diferencën

Kategoria e Parë e këtij sezoni pritet të jetë më e bukur dhe më e luftuar. Asnjëherë më parë nuk kanë qenë pjesë e saj kaq skuadra me emër, me shumë tituj kampionë dhe traditë në futbollin shqiptar, me në krye Dinamon.

igli allmuca

Drejtuesit e kësaj të fundit e dinë mirë se do të jetë e vështirë, ndaj dhe kanë marrë masa për të mos e vënë në diskutim objektivin e rikthimit në elitë. Blutë kanë bërë një nga merkatot më të mira për këtë ligë dhe ekipi është përgjigjur mirë në ato miqësore që ka luajtur.

ALLMUÇA

Igli Allmuça, ish-lojtar dhe i ish-trajner i Dinamos flet me nota mjaft optimiste për Dinamon e re. “I kam ndjekur zhvillimet te Dinamo, sigurisht, edhe pse ndoshta jo me shumë detaje. Mendoj se është ndërtuar një skuadër kompetitive, një skuadër me kualitet. Kanë qëndruar disa lojtarë me shumë eksperiencë dhe janë bërë afrime cilësore, tani mbetet të bëhet ajo ndërthurja e duhur.

Kanë ardhur shumë lojtarë, por do të veçoja, Ilir Allmuçën, sepse ai ka dalë nga Dinamoja dhe ka mbështetjen e vlerësimin e tifozëve të kësaj skuadre. Ka qenë kapiten i Egnatias në Superiore sezonin e kaluar dhe e shoh një përforcim shumë të rëndësishëm, pa mohuar aspak vlerat edhe të lojtarëve të tjerë që kanë ardhur”, thotë fillimisht për “Panorama Sport” ish-mesfushori i shpallur kampion me blutë.

SUPERIORJA

Për rikthimin në Superiore, Allmuça nuk ka dyshime. “Autostradë nuk do të jetë as për Dinamon dhe as për ndonjë skuadër tjetër, por them se nuk do të hasë shumë vështirësi për ngjitjen në Superiore. E vërteta është se në Kategorinë e Parë ka shumë emra të traditës, por e thashë, Dinamo ka ndërtuar një skuadër kompetitive dhe nuk do ta diskutojë objektivin që ka për t’u kthyer në Superiore.

Kampionati nuk është i lehtë asnjëherë, prandaj dhe drejtuesit kanë bërë investime. Kam bindjen se Dinamo do të jetë skuadra që do të bëjë diferencën në Kategorinë e Parë. Edhe qendra stërvitore që kanë marrë është shumë e rëndësishme. Është e rëndësishme për çdo klub, jo vetëm për Dinamon, kur ka qendrën e vet.

Në këto kushte mund të punojë shumë mirë edhe me akademinë, jo vetëm me skuadrën e parë. Mund të nxjerrë talente dhe të përfitojë prej tyre në të ardhmen, duke mos pasur nevojë vetëm për të blerë lojtarë të gatshëm. Për këtë arsye ka shumë të mira ky organizim që po bën klubi”, përfundoi ish-trajneri.

FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"