Dinamo do t’u besojë futbollistëve të rinj, Allmuça nis kontaktet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 11, 2017 | 15:48

Dinamo do t’u besojë futbollistëve të rinj, Allmuça nis kontaktet

Dinamo e përfundoi sezonin që lamë pas me shumë vështirësi ekonomike, të cilat natyrisht reflektuan në rezultate. Blutë e kryeqytetit vetëm javën e parafundit shpëtuan nga rreziku i rënies nga kategoria, edhe pse në gjirin e tyre pati lojtarë me mjaft eksperiencë dhe potencial.

Dinamo stervitje

Tashmë, blutë po përgatiten për sezonin e ri futbollistik, në të cilin së pari është konfirmuar trajneri Igli Allmuça. Administratori i Dinamos, Ismet Saliaj, ka konfirmuar në krye të stolit ish-kapitenin e saj, tashmë tekniku 36-vjeçar. Administratori i ka lënë dorë të lirë teknikut kryeqytetas të përzgjedhë lojtarë të rinj të talentuar dhe me vullnet.

LOJTARËT

Ndërkohë, Allmuça ka kontaktuar disa lojtarë, me të cilët fillimisht do të nisë stërvitja. Janë kontaktuar Kevin Myslimi, Ilir Allmuça, Elvi Bogdani, Ymer Shaba, Valentoni Murataj dhe Albert Caca. Ky do të jetë boshti për skuadrën e sezonit të ardhshëm, ku janë kryesisht lojtarë të rinj. Të tjerët nga skuadra e sezonit të vjetshëm do të kontaktohen në varësi të nevojave që Dinamo do të ketë.

Prioritet për skuadrën mbetet një sulmues i mirëfilltë. Një lojtar që ta njohë mjaft mirë zonën dhe të ketë nuhatje për gol. Një sulmues qendre i ka munguar skuadrës përgjatë gjithë këtyre viteve që Dinamo ka milituar në Kategorinë e Parë. Pritet që seanca e parë të nisë brenda kësaj jave. Pas disa sezonesh kryeqytetasit janë zhvendosur dhe do të luajnë në Grupin e Veriut.

SKERDILAID SULOZEQI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"