Devolli pret një Kukës më të pjekur: Kemi cilësi për të fituar, e kalojmë Laçin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 11, 2024 | 9:01

Devolli pret një Kukës më të pjekur: Kemi cilësi për të fituar, e kalojmë Laçin

Kukësi luan sot finalen e parë nga 10 të mbetura deri në fund, me shpresën se një trepikësh do ta mbante në garë për mbijetesën në Superiore.

BLEDAR DEVOLLI

Në prononcimin e dhënë për “Panorama Sport” para ndeshjes me Laçin, trajneri Bledar Devolli vlerëson gjendjen e skuadrës dhe entuziazmin që mbizotëron për të marrë maksimumin ndaj kurbinasve.

“Mendoj se skuadra është mirë. Këto ditë, pas ndeshjes me Partizanin, kemi punuar mirë dhe nuk kemi pasur probleme. Përveç Rashitit, i cili nuk ka qenë për një kohë të gjatë. Ekipin e shoh në stërvitje që punon me seriozitet dhe entuziazëm, diçka që ka rëndësi shumë në një moment si ky i yni tani. Shpresojmë që edhe nesër (sot) të shkojë çdo gjë mirë”, u shpreh fillimisht Bledar Devolli.

BESIMI – Numri 1 i stolit verilindor pohon se fitorja me Partizanin në kupë ka rikthyer besimin dhe sheh një rritje psikologjike te lojtarët.

“E kam thënë edhe pas ndeshjes me Partizanin që na ka shërbyer për mirë. Ekipi ka fituar besim, është rritur nga ana psikologjike, sepse ishte rënduar nga rezultatet e fundit. Edhe pse kemi bërë ndeshje të mira, na kanë penalizuar gabimet individuale, apo gjërat e vogla që ndikojnë shumë në një ndeshje futbolli. Duhet të bëjmë më shumë sakrificë si ekip dhe individualisht dhe të jemi më të pjekur, më të pistë në situata loje, më agresivë në dy dyja fazat e lojës, apo në goditje standarde si kur i kemi pro, ashtu edhe kundër. Besoj se nëse do t’i bëjmë këto gjëra, edhe rezultati nuk do të mungojë”, vijoi më tej Bledar Devolli, i cili kërkon që të marrë tri pikët e para në kampionat.

MBIJETESA – Për Devollin, Laçi është finalja e parë nga 10 të mbetura për Kukësin, ndaj dhe duhet fituar patjetër.

“Kanë mbetur 10 ndeshje, 30 pikë, dhe nga nesër (sot) duhet të fillojë kthesa në kampionat, siç bëmë në Kupë. Kam shumë besim te ky grup. Kemi një grup të mirë, që ka cilësi, apo edhe ‘armët’ për t’i bërë keq çdo kundërshtari. Kemi lojtarë me eksperiencë që kanë luajtur në Superiore dhe këta ndihmojnë edhe djemtë e rinj. Si trajner, ndihem mirë dhe jam besimplotë se do ta kalojmë finalen e parë me Laçin”, – përfundoi Bledar Devolli.

Ndeshja e sotme do të zhvillohet pa praninë e spektatorëve, për shkak se fusha e Kukësit është dënuar nga Komisioni i Disiplinës.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"