Derbi në modë, mesfushori i Kamzës: Duam pikë edhe ndaj Partizanit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 23, 2018 | 16:33

Derbi në modë, mesfushori i Kamzës: Duam pikë edhe ndaj Partizanit

Frashëri ka luajtur 5 vite me Partizanin, por tani kërkon që t’i marrë pikë ish-skuadrës së tij. Fitorja në derbi shijon shumë dhe Kamza është ende në eufori pas triumfit me Tiranën. Frashëri gjithsesi e vlerëson se Partizani është një ekip që meriton vlerësimin e plotë të skuadrës së tij. Gjithashtu, ai sqaron se nuk është rastësi fitorja me Tiranën, pasi skuadra ishte përgatitur si duhet.

Frasheri

Frashëri, me Tiranën skuadra dha maksimumin dhe arriti që ta mposhtte, ishte rastësi apo ecuri e grupit cilësor që ka në përbërje?

Mund të them se ishim të përgatitur për një gjë të tillë. Kishim tërësisht kohën e nevojshme në dispozicion të këtij takimi dhe arritëm të përmbushnim një prej objektivave që ne i kishin vënë vetes, për ta nisur mbarë këtë sezon. Kjo fitore nuk ishte thjesht një rastësi, por puna dhe stërvitja, pasi ne kemi punuar që në javën e parë të fazës përgatitore, pasi morëm vesh kalendarin. Ne treguam se dimë të luajmë më mirë futboll dhe ta marrim trepikëshin e parë në kampionat.

Tani keni përballë një tjetër pretendent për titullin, Partizanin. Keni luajtur shumë vite aty, a ndjeni emocione përballë fanellës së kuqe?

Jemi duke u përpjekur gjatë gjithë kësaj jave që të bëjmë një tjetër fitore, ku shpresojmë të marrim dhe një tjetër trepikësh. Kjo ndeshje, pavarësisht se kam qenë dikur një lojtar te Partizani, nuk më sjell asnjë emocion, pasi si lojtar profesionist ne luajmë për ekipin që përfaqësojmë.

Kjo skuadër dhe ky grup lojtarësh është vetëm për mbijetesë apo edhe për diçka më shumë?

Ky grup lojtarësh me të vërtetë mund të shkojë dhe më lart, por për momentin ne deri këtu e kemi hapin. Synojmë që me konsolidimin e këtij grupi të ri, skuadra të shkojë edhe më lart.

Jeni më mirë apo më dobët se viti i kaluar?

Mendoj se jemi më mirë. Me ardhjen e trajnerit të ri, Devollit, në skuadër është futur një frymë e re dhe mentalitet sulmues.

A.Dushku

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"