Daja-Partizani, prapaskenat e një krize. Ja çfarë u tha trajneri lojtarëve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 28, 2021 | 0:03

Daja-Partizani, prapaskenat e një krize. Ja çfarë u tha trajneri lojtarëve

Humbja në derbin kundër Tiranës ka trazuar tepër ujërat te Partizani. Stoli i trajnerit Ilir Daja është më i lëkundur se kurrë dhe situata në kampin e kuq nuk duket aspak e qetë. Megjithatë, para derbit kundër Tiranës, por edhe pas, stafi drejtues dhe vetë presidenti Demi kanë shprehur publikisht besimin e tyre për trajnerin 55-vjeçar.

Olsi dhe Daja

PRAPASKENA – Megjithatë, vetë trajneri Daja e ndien veten në pozitë dhe ka marrë përsipër të gjitha përgjegjësitë dhe ka menduar seriozisht të japë dorëheqjen. Por, pse nuk ka ndodhur diçka e tillë? Gazeta mëson se Daja është shprehur besimplotë se kthesa e Partizanit do të vijë në tri sfidat e radhës: kundër Egnatias, Kastriotit dhe Laçit, sfida ku pretendon se do të merren 9 pikë të plota. Kalendari e favorizon strategun e kuq dhe ai vetë nuk dëshiron që të largohet, të vijë një trajner tjetër e ta ketë kalendarin të lehtë, për ta nxjerrë ekipin nga kriza. Daja është besimplotë se do të jetë pikërisht ai që do të përmbysë këtë situatë aspak të lehtë dhe do ta udhëheqë ekipin drejt fitoreve të shumëpritura. Në të kundërt, strategu i të kuqve u ka thënë të tijve se do të largohet nga pankina.

PRESIDENTI DEMI – Gazeta gjithashtu mëson se presidenti Demi ka pasur një bisedim me lojtarët e Partizanit, ku i ka pyetur se çfarë problemi kanë që nuk po paraqiten siç duhet në ndeshjet e këtij sezoni. Demi është vënë në dijeni nga lojtarët se kanë pakënaqësi kundrejt trajnerit Daja dhe raportet nuk janë të mira. Pavarësisht kësaj, presidenti i Partizanit ka besim te trajneri dhe te përmbysja e kësaj situate.

PRESIONI – Nëse sezonin e shkuar Daja nuk kishte presionin e madh për të fituar çdo ndeshje, nisur edhe nga bllokimi i merkatos, këtë sezon gjërat janë ndryshe. Jo vetëm që Partizani është përforcuar në dy merkato me Dajën si trajner, por edhe investimet janë kolosale, duke marrë në konsideratë edhe emrat si Kaçe e Filipoviç, që kanë paga të majme. Përveç merkatos, ku u afruan 18 futbollistë, Partizani nuk e ka nisur siç duhet as kampionatin, duke marrë vetëm 4 pikë nga 18 të mundshmet. Në 6 javë, Partizani ka lënë 14 pikë rrugës dhe ky start është për t’u harruar. Tashmë, presioni është akumuluar dhe është shtuar ndjeshëm mbi stafin teknik të “demave”, që shpëtimin e vetëm duket se e kanë te kalendari në vazhdim.

VERONIK ISTREFAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"