Daja “nis” merkaton me Flamurtarin, kërkohet të blindohet Danilo Alvesh

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 18, 2018 | 19:46

Daja “nis” merkaton me Flamurtarin, kërkohet të blindohet Danilo Alvesh

Danilo Alvesh pëlqehet nga Ilir Daja. “Panorama Sport” zbulon se në takimin që zhvilloi me administratorin Sinan Idrizi, trajneri i ka parashtruar edhe disa pëlqime të tij në drejtim të lojtarëve. Mes tyre ka qenë edhe emri i brazilianit. Edhe pse Daja nuk e ka marrë zyrtarisht detyrën si trajneri i Flamurtarit, kjo nuk e ka penguar që të hedhë në tavolinë preferencat. Tekniku kryeqytetas e kërkon në ekip sulmuesin, megjithatë vetë Alvesh është duke parë mundësinë e një aventure jashtë Shqipërisë. Për gazetën pak ditë më parë, ai deklaroi se nëse vendos të kthehet në Shqipëri, do të zgjedhë vetëm Flamurtarin.

alvesh bushic

RINOVIMET – Te Flamurtari kanë mbetur pezull edhe rinovimet. Emiljano Musta, Muhamed Useini, si dhe Tomislav Bushiç, janë tre nga lojtarët që mbyllën sezonin në Vlorë dhe rinovuan edhe për një tjetër vit. Rinovimet e tjera janë bllokuar për shkak të trajnerit. Do të jetë Ilir Daja ai që do të vendosë “veton” për ata që do të mbajë në ekip. Nuk dihet se cilat janë dëshirat e trajnerit të ri, por gjasat janë që rinovimet të jenë me pikatore. Tekniku kryeqytetas do të ketë të gjithë kompetencat për zhvillimin e merkatos së Flamurtarit. Ai pritet të marrë disa elementë nga Skënderbeu. Këtë javë ka shumë të ngjarë që ai të dorëzojë në klub edhe listën e dëshirave me emrat e lojtarëve që kërkon të ketë te Flamurtari.

LARGIMET – Nga Flamurtari janë larguar disa lojtarë. Muarem, Nurkoviç, Nedljekoviç, Siljanovski e Zuka, janë disa nga të larguarit. Por ata mund të pasohen edhe nga të tjerë. Sidibe dhe Kamara mund të quhen gjithashtu të ikur. Në këtë rast mund të thuhet se klubi mund të ketë gabuar. Afrikanët ishin lojtarë të lirë dhe mbi të gjitha pa shpenzime të mëdha. Edhe pse ishin alternativa të mira, klubi nuk rinovoi. Këta dy lojtarë tashmë pritet ta vijojnë karrierën jashtë Shqipërisë.

Ermal Sika

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"