“Cikli i Flamurtarit në Superiore ka mbaruar”, Franc Veliu: Ja fenomeni që duhet të ndryshojë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 1, 2020 | 22:29

“Cikli i Flamurtarit në Superiore ka mbaruar”, Franc Veliu: Ja fenomeni që duhet të ndryshojë

Franc Veliu rrëfen ditët e karantinës. Mbrojtë si ndodhet në Vlorë që prej muajit mars, derisa edhe futbolli në Kosovë është ndërprerë. Është e kuptueshme që edhe atij i mungon futbolli, por nuk e ka ndalur stërvitjen për asnjë. Madje, ka pasur luksin që të ketë edhe ndihmën e trajnerit Gentjan Mezani gjatë seancave që po kryen.

Franc Veliu OK

Në një intervistë për “Panorama Sport”, ish-kapiteni i Flamurtarit flet për shumëçka. Jo vetëm për situatën absurde që po kalon mbarë globi prej Koronavirusit, por edhe për aventurën te Gjilani. Nuk kishte si të mos fliste për të shkuarën dhe mbi të gjitha për ekipin e zemrës. Ndien keqardhje për kuqezinjtë, por “troç” e thotë që cikli i Flamurtarit në elitë ka mbaruar tashmë.

Franci, ku po i kaloni këto ditë karantine?

Kam mbi një muaj që kam ardhur në Vlorë, pikërisht në momentin kur edhe në Kosovë u ndërpre gjithçka.

I zbatoni rregullat apo dilni nga shtëpia?

Dal gjithmonë brenda rregullave dhe kohës që është vendosur. Secili nga ne duhet t’i zbatojë masat e vendosura me përpikëri, ndryshe nuk fitohet kjo luftë.

Mezani me Veliun

Ku po stërviteni?

Stafi teknik na ka dhënë program të posaçëm për ta zbatuar dhe unë jam me fat, sepse këtu në Vlorë kam edhe trajnerin Gentjan Mezani.

Takoheni shpesh? 

Po, takohemi shpesh. Stërvitem rregullisht në bregdetin e Vlorës, si dhe në një palestër private, të cilën e shfrytëzoj vetëm unë.

Gjilani është shpërndarë, si është situata në ekipin tuaj?

Ekipi është shpërndarë, por në Kosovë gjendja është më pak alarmante, edhe pse rastet janë të konsiderueshme.

veliu

Në dijeninë tuaj a ka lojtarë nga Shqipëria që kanë mbetur në Kosovë?

Ka disa lojtarë që janë aktualisht në Kosovë si pasojë e mbylljes së kufirit, si dhe nga procedura e gjatë që kërkon karantinimi, pasi vjen nga një vend i prekur nga “COVID-19”. Gjithsesi, të gjithë lojtarët stërviten individualisht. Kjo është e vetmja formë që ka mbetur, që të ruhen forma fizike dhe të jemi në një lloj forme gati, derisa të rinis stërvitja dhe kampionati.

Si mendoni se duhet të jetë vazhdimësia e kampionatit në Kosovë dhe Shqipëri? Të përfundojnë ndeshjet e mbetura apo të shikohet një formulë tjetër?

Kampionatet kudo duhet të përfundojnë, domethënë të vazhdojnë normalisht pas qetësimit të situatës, edhe pse mund të ketë ndeshje të ngjeshura në kalendar. Çdo gjë duhet të ketë vazhdimësi dhe normalitet.

Keni parashikuar që në verën e vitit të kaluar se Flamurtari është i destinuar të bjerë nga kategoria…

Me keqardhje them se Flamurtari e ka mbyllur ciklin në Kategorinë Superiore, pavarësisht se matematika mund ta lejojë, por e ka shumë të vështirë qëndrimin.

Çfarë doni të thoni me këtë?

Korrektësia në pagesa është obligim dhe kryefjala e këtij fenomeni që ndodh rëndom në Shqipëri. Për mua ky është hapi i parë që ekipet duhet të respektojnë, në rast se duan të kenë një plan për të ardhmen. Shpresoj që Flamurtari të shkojë sa më shpejt në vendin që meriton.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"