Champions, Alegri terapi Juves. Tekniku i ofron zgjidhjen Ronaldos me shokë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 18, 2018 | 21:31

Champions, Alegri terapi Juves. Tekniku i ofron zgjidhjen Ronaldos me shokë

Pa e menduar shumë dhe sidomos pa e shndërruar në fiksim”, është ky mesazhi, të cilin Masimiliano Alegri po mundohet t’i japë skuadrës në stërvitjet që paraprijnë ndeshjen e nesërme ndaj Valencias. Debutimi sezonal në Ligën e Kampioneve është një hap shumë i rëndësishëm për pjesën e parë të kompeticionit, por trajneri bardhezi synon te qetësia e të tijve dhe qasja që do të duhet të kenë në përballjen e radhës.

alegri ronaldo

Zemër e nxehtë dhe mendje e ftohtë, është kjo mënyra, me të cilën Juvja duhet të nisë rrugëtimin e saj europian, por pa lejuar që Kupa me veshë të gjatë të shndërrohet në një fiksim që mund të pengojë juventinët që të arrijnë objektivin. Ardhja e Kristiano Ronaldos konfirmon dukshëm që qëllimi i torinezëve është finalja në “Vanda Metropolitano” të Madridit pas tetë muajsh.

Merkato faranike dhe një organikë cilësore janë armët e Juventusit, por pa lejuar që pritshmëritë të minojnë një mision, të cilin në 22 vitet e fundit çdo ekip bardhezi ka dështuar të arrijë. Dora e Alegrit – E lehtë për t’u thënë, e tejet e vështirë për t’u bërë, por Masimiliano Alegri punon me këto prej muajsh. Prej shtatë sezonesh, bardhezinjtë dominojnë në territorin italian, por tashmë është Europa vendi ku bardhezinjtë duan të thonë fjalën e tyre. Liga e Kampioneve është qartazi një synim, teksa ardhja e Ronaldos imponon arritjen e këtij suksesi, që do të ishte qershia mbi tortë për një klub që e nisi nga ferri i Serisë B dhe preku olimpin europian.

Përgatiti: REINOLD BAKALLI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"