Burreli i sjell fat Luzit, i “jep” fitoren e tretë sezonale. Presidenti Lusha: Përpiqemi deri në fund për mbijetesën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 1, 2024 | 23:56

Burreli i sjell fat Luzit, i “jep” fitoren e tretë sezonale. Presidenti Lusha: Përpiqemi deri në fund për mbijetesën

Luzi mund me përmbysje 2-1 Burrelin. Në shkallët e boshatisura të stadiumit “Roza Haxhiu”, skuadra e drejtuar nga Nertil Ferraj zhvilloi një pjesë të dytë kurajoze. Golat e shënuar nga Balla dhe Laho në harkun kohor të tetë minutave, 61 dhe 69, përmbysën golin e Kastratit të shënuar në minutën e 27-të për Burrelin.

festa e luzit

 

Takimi nisi i qetë. Me kalimin e minutave loja bëhet e ashpër me dy luftime të forta në mesfushë. Në minutën e 27-të, Burreli kalon në avantazh, ku kapiteni Stana kroson në zonë dhe Kastrati godet saktë me kokë,0-1. Në minutën e 36-të Burreli i afrohet golit të dytë. Si të mos mjaftonte mungesa e Trenit, në fund të pjesës së parë luznjakëve u dëmtohet Çuçka, që zëvendësohet nga Balla, i cili në minutën e 61-të barazoi rezultatin me një goditje me kokë.

Në minutën e 69-të Laho vihet përballë portierit Dani, godet saktë, dhe 2-1 për Luzin. Në minutat e mbetura Luzi i afrohet edhe golit të tretë, por në fund gjithçka u mbyll në Lushnjë, pasi fusha e luznjakëve është e dënuar, në shifrat 2-1. Pas ndeshjes trajneri i Burrelit, i dëshpëruar për “Panorama Sport” tha: “Një humbje që na zbret me këmbë në tokë, pasi e mbivlerësuam pak veten. E kisha këtë frikë, ndaj i kërkova skuadrës gjatë gjithë javës që të kemi kujdes mos na kapë euforia, pasi vinim nga një fitore me Bylisin. Nuk kemi rrugë tjetër veç të mendojmë për ndeshjen me Besën. Luzi është kthyer në makthin tonë, pasi është hera e tretë që na mund në këtë sezon. Duhet të mendojmë për finalet e tjera”.

Presidenti Lusha

Albert Lusha, presidenti i Luzit, pas suksesit me Burrelin për “Panorama Sport” tha: “Ekipi ynë është simpatik dhe e ka treguar veten në këto dy vite në Kategorinë e Parë. Jemi një klub i vogël që ka vetëm mbështetjen time financiare. Ishim të dënuar për fitore. Falënderoj kryebashkiaken e Lushnjës që na vuri fushën në dispozicion dhe na solli fat. Luzi do të përpiqet deri në fund për të qëndruar në Kategorinë e Parë”.

ALBAN ALUSHI- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"