Borxhi ndaj Muzakës, Tirana një muaj kohë për 3 pikë. Negociohet edhe “divorci” me Majkëll Ngo

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 20, 2018 | 21:00

Borxhi ndaj Muzakës, Tirana një muaj kohë për 3 pikë. Negociohet edhe “divorci” me Majkëll Ngo

Tirana fiton sërish kohë për çështjen “Muzaka”. Pak ditë më parë, klubi shleu këstin e dytë prej 35 milionë lekësh të borxhit, duke i dhënë ishlojtarit 70 milionë në total nga borxhi që shkon në 107 milionë lekë. Megjithatë, që detyrimi të mbyllet plotësisht, kanë mbetur edhe 35 milionë të tjera për t’u dhënë. Përtej afateve të dhëna nga Komisioni i Disiplinës, duket se palët kanë arritur një tjetër marrëveshje.

muzaka

Drejtuesit do të kenë edhe një muaj tjetër në dispozicion për të likuiduar këstin final që u ka mbetur ndaj ish-lojtarit. Burime pranë mesfushorit konfirmojnë për “Panorama Sport” se janë shkoqitur që të gjitha afatet dhe dita e fundit kur bardheblutë duhet ta shlyejnë këtë detyrim nuk duhet ta kalojë 20 dhjetorin e 2018-ës. Pra, pa mbaruar viti, klubi duhet t’i vendosë “kapakun” kësaj historie, në të kundërt do të rrezikojnë heqje pikësh. Dhe me situatën kritike që po kalojnë, kryeqytetasve nuk u leverdis kurrsesi që t’u minimizohen ato pikë të marra me aq mund në këto 13 javë.

NGO – Tirana dhe Ngo duket se i kanë të ndara rrugët për të ardhmen. Me siguri nuk mund të thuhet, por shanset që një “divorc” i parakohshëm të ndodhë ndoshta para janarit janë të mëdha. Problemet e vazhdueshme që po krijon lojtari nuk po përtypen jo vetëm nga stafi, por as nga drejtuesit. Në një kohë kur presin frymë bashkëpunimi, po hasen me sherret kronike të krijuara nga anglezi. Kjo ka bërë që në klub ta ndajnë mendjen dhe brenda kësaj jave të thërrasin në takim lojtarin për të folur hapur për një prishje të marrëveshjes.

U bë e treta herë brenda një muaji që ish-sulmuesi i Liverpulit ndëshkohet dhe në kësi kushtesh nuk i vjen aspak në ndihmë ekipit që po kalon krizë rezultatesh. Ai edhe dje ka qenë i pranishëm në stërvitje, por vazhdon të jetë i dënuar. Ngo është jashtë planeve të trajnerit për ndeshjen e radhës me Skënderbeun, derisa prej ditësh po kryen përgatitje i veçuar nga grupi. Edhe pse është herët për të menduar për merkaton, drejtuesit që tani po shqyrtojnë pistat e mundshme për të afruar një sulmues në janar. Me Blazhevskin që nuk është ende në 100% e tij, duhet thënë që alternativa e vetme mbetet Sentamu.

ADELA MERKO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"