BOKS/ Dueli me Usik, Furi vendos afatin dhe kërkon shumën marramendëse për tu ndeshur

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 25, 2022 | 15:59

BOKS/ Dueli me Usik, Furi vendos afatin dhe kërkon shumën marramendëse për tu ndeshur

Mbrëmjen e së sh tunës, Oleksandër Usik mbrojti tituj botërorë të peshave të rënda ndaj Antoni Xhoshuas, ndërsa tashmë e gjithë bota kërkon një superduel me tij dhe Tajson Furit, që parashikohet të jetë edhe evenimenti më i ndjekur dhe më fitimprurës i të gjitha kohërave. Ndërkohë, Tajson Furi ka vendosur një afat shtatëditor për të organizuar sfidën që do të bashkonte të gjithë titujt kampionë.

4234

Usik mban brezat WBA (super), IBF, WBO dhe IBO, ndërsa Furi, i cili së fundmi kishte njoftuar tërheqjen pasi mundi Dilian Uajt në prill, mban rripin e WBC. Promotori Frank Uorren ka deklaruar se përballja me Furin është “i vetmi duel” që Usik dëshiron. Ndërsa nga ana tjetër, ka reaguar edhe vetë Furi, i cili ka dhënë ultimatum për gjetjen e marrëveshjes deri më datë 1 shtator. Boksieri britanik ka reaguar me anë të një videomesazhi në rrjetet sociale, ku deklaron:

“Përshëndetje! Për të gjithë ata që kërkojnë ta organizojnë këtë duel, do t’iu jap të gjithëve shtatë ditë afat deri më 1 shtator për të ofruar paratë. Nëse nuk e bëni deri në këtë kohë, atëherë nuk do të ketë duel, pasi unë jam i tërhequr tashmë. Të gjitha ofertat duhet t’i dërgohen avokatit tim me shkrim, me dëshmi të fondeve, kështu që le të fillojnë lojërat”, është shprehur Furi, i cili njoftoi largimin nga boksi më pak se dy javë më parë, po që pak ditë më parë, në një intervistë për “TalkSport”, bëri të ditur se për t’u rikthyer në ring në një duel kundër Usik, kërkon jo më pak se 500 milionë paund. “Unë jam i pasur dhe në pension dhe nëse duan që ‘Gipsy King’ të kthehet në ring, duhet të paguajnë një shumë të madhe parash. Nëse Mejuedhër ka marrë 400 milionë për t’u ndeshur me Pakuajon, unë dua 500 milionë për të dueluar me Usik. Nuk kam respekt për të dhe nuk mendoj se është një boksier i madh”, është shprehur Furi.

Ndërkohë, pasi boksieri ukrainas mundi Xhoshuan në Arabinë Saudite në fundjavë, promotori Uorren theksoi së dueli Usik-Furi do të ishte përballja më e madhe e boksit në të gjitha aspektet: “Sfida do të jetë përmbushja e pritshmërive financiare të të dy djemve. Duhet të jetë një event shumë më i madh se ai ‘Usik-Xhoshua 2’, sepse në ring do të jenë dy luftëtarë të padiskutueshëm dhe është hera e parë që do luftohet për unifikimin e katër gjerdanëve. Bëhet fjalë për një duel unik, sepse dy boksierët janë gjithashtu të pamposhtur, gjë që është mjaft e pazakontë”. Nëse kjo përballje do të ndodhte, fituesi do të bëhej kampioni i parë i padiskutueshëm i peshave të rënda që nga koha e Lenoks Luis në 1999-2000, i gjashti i të gjitha kohërave dhe i pari i epokës me katër rripa pas ngritjes së federatës WBO.

ARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"