Bizhdili: Të ngjiten Besa dhe Tirana, më pas edhe Dinamo me Elbasanin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 17, 2017 | 11:13

Bizhdili: Të ngjiten Besa dhe Tirana, më pas edhe Dinamo me Elbasanin

Nexhat Bizhdili rikthehet pas një mungese të gjatë në krye të skuadrës së Besës dhe me një objektiv të qartë: Të ngjisë ekipin në Superiore. Në një intervistë për “Panorama Sport”, presidenti zbardh arsyet e mungesës së tij katërvjeçare dhe objektivat e së ardhmes.

Nexhat Bizhdili

Bizhdili, përse gjithë kjo mungesë në drejtimin e Besës dhe pse pikërisht u rikthyet tani?

Për hir të së vërtetës, unë kam qenë gjithnjë pranë ekipit, kam qenë në dijeni të gjithçkaje. Për arsye personale nuk kam financuar si në të kaluarën, por tashmë siç e shihni jam rikthyer. Më duhet të falënderoj edhe kryetarin e ri të Bashkisë, Isa Sakjen, i cili që ditën e parë ka menduar për futbollin verdhezi.

Ju vjen keq që skuadra juaj vuan prej 4 vitesh në Kategorinë e Parë?

Ju thoni Besa ime, por në fakt është Besa e një qyteti të tërë. Besa ka mbi 90 vite histori, kur unë nuk kisha lindur. Si çdo biznesmen kavajas, jam munduar të kontribuoj për futbollin e qytetit tim dhe kaq. Mos harroni se edhe Bashkia ka pasur kontributin e saj gjithmonë, pavarësisht sasisë financiare.

Sigurisht që më ka ardhur keq, por si kudo edhe në futboll ka ulje-ngritje. Shihni Dinamon, Elbasanin, së fundi edhe Tiranën. Këtë fat e pati edhe Partizani mos harroni. Është mëkat që këto qytete t’i mungojnë Superiores, pasi janë ekipe, të cilat e kanë mbajtur gjallë atë. Shpresoj që si Besa, ashtu edhe Tirana të kthehen në “shtëpinë” e tyre dhe shpejt ta bëjnë këtë gjë edhe Elbasani e Dinamo.

Çfarë mund të na thoni për grupin aktual të lojtarëve?

Jemi në rindërtim e sipër të ekipit. Ka lojtarë vendas, por edhe lojtarë të rinj, talente nga rrethet, por që nuk japin siguri për objektivin. Prandaj kam rikthyer Mihanin e Hoxhën dhe këto ditë po kontaktoj me të tjerë lojtarë cilësorë. Po punojmë në dy fronte, atë të konstutimit të grupit për kthimin në Superiore, por edhe për lojtarë perspektive.

Mjafton t’ju kujtoj Berishën, Fejzullahun e Jashanicën, të cilët kur erdhën te Besa ishin 18-vjeçarë e askush s’i njihte. Sot, gjykojini vetë. Prandaj thashë se po ndërtoj një Besë garuese për kthimin në Superiore dhe lojtarë të perspektivës.

Keni një mesazh për tifozët?

Po. Fillimisht dua t’u garantoj tifozëve kavajas se jam ai që e kam çuar Besën në Europë dhe shumë shpejt do të jemi sërish aty. Po që të arrijmë atje, ky sezon do të jetë i ringritjes sonë, prandaj ftoj tifozët që në javën e parë ndaj Dinamos ta mbushin stadiumin.

Ndërsa për të tjerët thjesht paralajmëroj këdo se tashmë iku koha kur ekipit tim i bëheshin padrejtësi, kur mundej me dhunë lojtarësh, drejtuesish e bilbilash. Tani e në vazhdim kur të presin Besën ta kthejnë në festë se po u vjen “Besa e Europës” dhe ajo që ka shumë vite histori.

FERIZ FERIZAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"