Bind Apolonia, arbitrat e bëjnë lëmsh te goli i Vorës. Hebeja: Mundëm një rival direkt

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 8, 2024 | 17:23

Bind Apolonia, arbitrat e bëjnë lëmsh te goli i Vorës. Hebeja: Mundëm një rival direkt

Apolonia ia merr dorën fitoreve në shtëpi në minutat e fundit. Pas Tomorit, të shtunën e ka pasur radhën Vora në stadiumin “Loni Papuçiu”, ku Apolonia mori një fitore të ngushtë, 2-1.

apolonia voraa

Të parët kaluan në avantazh fierakët, me autor mesfushorin Bejzade. Ndërsa vorakët barazuan në minutën e 76-të, falë 11-metërshit të realizuar me saktësi nga sulmuesi Raboshta. Vendësit iu falën Rubin Hebejës që realizoi golin e fitores në minutën e 85-të. Fierakët hedhin një hap drejt katërshes, pasi diferenca me Vorën e vendit të 4-t është vetëm 2 pikë.

Ndeshja- Apoloniae nisi vrullshëm sfidën, por rastet e krijuar u finalizuan në minutën e 23-të. Omeri shërben në zonë dhe te shtylla e parë Bejzade godet lehtë me kokë dhe topi përfundon në rrjetë. Miqtë kundërpërgjigjen shumë shpejt, por pjesa e parë mbyllet me avantazhin 1-0 të vendësve. Fraksioni i dytë nisi me dy ndryshime në mesfushë për Vorën. Loja është më e ekuilibruar dhe me raste nga të dy ekipet. Në të 74-tën Vora gjen golin e barazimit. Ismaili asiston mjeshtërisht për Qardakun, që me kokë e dërgon topin në rrjetë. Festa e miqve prishet nga kryesori Bacaj, i cili akordoi 11-metërsh, më saktë faull brenda në zonë ndaj sulmuesit Raboshta, para se topi të shkonte në rrjetë.

Pas protestave të shumta të vorakëve, gjyqtari e ndryshoi vendim, por loja nuk rinisi, sepse kryesori u thirr nga arbitri i katërt, Blerim Ziri. Pas një bisede që zgjati dy minuta mes tyre, kryesori Bacaj vendos për penallti për Vorën. Raboshta tregohet i saktë nga pika e bardhë dhe barazon shifrat në 1-1. Në minutën e 85-të, fierakët gjejnë golin e fitores, ku Hebja i lirë në zonë e dërgon në rrjetë topin e shërbyer nga Shanaj. Mbyllet gjithçka me rezultatin 2-1, me Apoloninë që i afrohet shumë katërshes së parë.

Trajneri Zjarri

Endri Zjarri, trajneri i Vorës, pas ndeshjes u shpreh: “Na vjen keq pasi nuk mundëm të marrim një rezultat pozitiv, për më tepër kundër një rivali direkt si Apolonia. Kjo na e komplikon edhe më shumë situatën për të ruajtur deri në javën e fundit vendit e katërt. U ndëshkuam në momentin tonë më të mirë, pasi barazuam rezultatin. Na ndëshkoi një pakujdesi në prapavijë. Objektivi ynë mbetet i njëjtë, ‘play off’-i”.

Hebeja: Mundëm një rival direkt, goli për familjen

Rubin Hebeja ishte heroi i Apolonisë, pasi me golin e shënuar në fund të pjesës së dytë u dha trepikësh me peshë fierakëve, që tashmë besojnë më shumë te marrja e vendit të katërt. Pas ndeshjes Hebeja u shpreh: ”Fitore me vlerë të dyfishtë, pasi mundëm një rival direkt dhe jemi më pranë se kurrë për të qenë mes katër ekipeve më të mira të kampionatit. Kjo fitore besoj se do të na ndihmojë edhe në aspektin psikologjik, sa u përket javëve të mbetura, ku e dimë që luhet gjithçka për gjithçka. Jam shumë i lumtur për golin e shënuar, për më tepër që në fund i shërbeu skuadrës për të marrë një fitore të rëndësishme. Është një gol me dedikim për familjen time, e cila më ndjek në çdo stadium dhe është mbështetja ime më e madhe”, u shpreh Hebeja për “Panorama Sport” pas fitores me Vorën.

HILMI SALIU- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"