“Besën e llogaris në krye”, Kashami bën skanerin 24 orë para startit: Jemi gati, “topi” në fushën tonë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 10, 2021 | 18:53

“Besën e llogaris në krye”, Kashami bën skanerin 24 orë para startit: Jemi gati, “topi” në fushën tonë

Kur na ndajnë 24 orë nga nisja e sezonit 2021-2022, në kampin verdhezi duket se gjërat shkojnë “vaj”. Besa, si asnjë vit më parë, startoi para të tjerëve seancat stërvitore dhe deri ditët e fundit ishte ndër më aktivet në merkato. Presidenti Nexhat Bizhdili “zgjidhi” qesen dhe nuk ia prishi dëshirat stafit teknik për të gjitha kërkesat që ata kishin.

kashami

Në këto kushte, tani “topi” kalon te lojtarët dhe trajneri. Ndriçim Kashami është optimist dhe gjatë një interviste për “Panorama Sport”, deklaron se ekipi është 100% gati të nisë garën për të realizuar misionin madhor: ngjitjen.

Sa i kënaqur është Kashami nga merkatoja dhe a ju plotësoi presidenti Bizhdili çdo kërkesë?

Kemi pasur e kemi një marrëdhënie të hapur me presidentin. Ai i është përgjigjur me korrektësi çdo kërkese. Janë afruar ndryshe nga vitet e tjetra lojtarë me mentalitet fitues e që kanë përvoja në Superiore dhe Ligën e Parë. Shto këtu faktin që nuk e filluam nga 0, pasi nga sezoni i kaluar patëm një kontingjent me futbollistë po aq cilësorë.

Tani “topi” është në fushën tonë. Po punojmë në harmonizimin e lojtarëve të afruar me kontingjentin e vjetshëm. Si staf jemi të kënaqur me grupin që kemi.

Ndërkohë që testuat grupin në miqësore të shumta. Çfarë mund të thoni kur na ndajnë vetëm 24 orë nga starti?

Duke përjashtuar miqësoren në Shkodër dhe kushtet në të cilat u zhvillua, jam i kënaqur nga paraqitjet e ekipit. M’u desh të bëja kalkulime të shumta taktike duke përdorur formacione të ndryshme në funksion të shkrirjes së të ardhurve me lojtarët që ishin në ekip. I dhashë mundësinë çdo futbollisti pa përjashtim të tregonte se sa meriton.

Pra, rezultati ishte i fundit për mua dhe disa sfida që mund t’i fitonim, pse jo, thellë, më shumë mendova pikërisht për atë që pyesni ju, për startin e kampionatit. Tani mund të them se grupi ka njohur dhe zbatuar filozofinë time të lojës.

Edhe rivalët janë përforcuar jo pak. Kujt i druheni këtë sezon?

Po e them hapur, i druhem vetëm vetvetes. Gjithçka do të varet vetëm nga këmbët tona. Duke ndjekur merkaton dhe njohur rivalët, Apolonia, Erzeni e Bylisi, shoh ekipe që pritet të kenë synime të qarta. Ndryshe nga sezonet e fundit, ky do të ketë formulë tjetër dhe pres të jetë më i fortë dhe më i ekuilibruar deri në fund.

Mes këtyre pretendentëve, ku do të ndodhet Besa juaj?

Nëse pyetem unë, pa dyshim në krye, por preferoj që këtë optimizëm e besim që ndiej te grupi dua ta shoh të konkretizuar në fushë. Nisim me Turbinën dhe si ndeshja e parë gjithmonë ka vështirësitë e saj. Detyra jonë është ta nisim me fitore. “Fillimi i mbarë gjysma e punës”, thotë populli. Më pas, preferoj të mos flas në bllok, por të çmoj veçmas e të përgatitemi për çdo ndeshje.

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"