Besa godet në limitet e merkatos, firmos me ish-kapitenin e Flamurtarit dhe Luftëtarit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 11, 2019 | 10:20

Besa godet në limitet e merkatos, firmos me ish-kapitenin e Flamurtarit dhe Luftëtarit

Besa godet në limite, merr Orjad Beqirin. Nuk është hera e parë që presidenti Nexhat Bizhdili surprizon në momentet e fundit të merkatos. Pasi solli lojtarë si Xhafaj, Zefi apo Cajani, dje ka bindur të vishet verdhezi edhe ish-kapitenin e Flamurtarit dhe Luftëtarit.

orjad beqiri

Bëhet fjalë për vlonjatin, i cili sezonin e fundit ka luajtur edhe te Kamza, deri në momentin që këta të fundit u përjashtuan nga gara. Afrimi i 34- vjeçarit blindon në një lloj forme prapavijën. Tashmë, veç eksperiencës, këtij reparti i shtohen edhe centimetrat. Lojtari ka gjetur akordin dhe tashmë nuk i mbetet gjë tjetër, veçse ta nisë këtë rrugëtim të ri. Pritet që sot ai të prezantohet dhe të nisë stërvitjen me kavajasit, ndërsa në klub konfirmojnë se gjithçka është mbyllur sa u përket termave kontraktualë.

beqiri

Gugash Magani gjen më në fund qetësi, pasi tashmë për defensivën ka emra, si Xhafaj, Kacbufi, Perja, Shima, Shaqe, pa llogaritur të rinjtë vendës. Në këtë mënyrë pritet që mbrojtja verdhezi të jetë një “kështjellë” që vështirë do të pushtohet prej kundërshtarëve.

SULMI DHE PORTA

Nuk është çudi që në ditët e mbetura të tregut të transferimeve klubi të pasurojë edhe sulmin. Ofensiva ka nevojë për cilësi, pasi aktualisht janë në dispozicion vetëm Cara dhe Onun. Shqetësim i vetëm mbetet porta, ku pas largimit të Festim Mirakës, atë e mbron vetëm Ilir Dobjani (portier i talentuar kavajas i Kombëtares U-19), së bashku me djaloshin Ali Patoshi. Klubi ka nisur kërkimet dhe gjasat janë që deri para duelit me Orikumin, të sigurojë shërbimet e një gardiani me përvojë.

stadiumi besa

NGËRÇI ME STADIUMIN

E ndërsa grupi i lojtarëve po plotësohet nga dita në ditë, shqetësim më vete mbetet stadiumi “Besa”. Me një tapet të degraduar, ky impiant nuk u licencua prej FSHF-së.

Në këto kushte, drejtuesit kavajas zgjodhën Lushnjën për të luajtur takimet e shtëpisë. U fol se në Kavajë do të niste puna për zëvendësimin e tapetit, por gjithçka mbeti në kuadrin e një premtimi. Besa që pretendon ngjitjen, këtë vit duhet t’i bëjë ballë edhe… migrimit. Dhe, situata vështirësohet, kur kujton që java e parë do të luhet edhe pa tifozë, prej dënimit të mbartur nga vjet.

FERIZ FERIZAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"