“Bëra debat me tone të larta me Xherard”, Grezda rrëfehet në “Panorama TV”: Ja çfarë ndodhi me Rejan! Superiorja? Jo… për momentin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 21, 2023 | 22:33

“Bëra debat me tone të larta me Xherard”, Grezda rrëfehet në “Panorama TV”: Ja çfarë ndodhi me Rejan! Superiorja? Jo… për momentin

Eros Grezda ka qenë i ftuari i sotëm në emisionin “Panorama Sport” në “Panorama TV”. Sulmuesi i kombëtares shqiptare është transferuar përsëri te ZTE në Hungari, ku shpreson të lërë pas problemet e viteve të fundit, përfshirë edhe eksperiencën pak të lumtur te Manisaspor në Turqi.

bandicam 2023-02-21 16-49-21-514

Grezda tregoi se çfarë pret në vijim nga kjo eksperiencë e dytë në Hungari, por edhe ka folur për të kaluarën e tij në karrierën në klube, apo edhe me kombëtaren shqiptare.

“Kam shumë pak ditë që kam nënshkruar këtu te ZTE. Klubin e njoh mirë, ligën e njoh se kam qene dhe më parë. Por kisha një periudhë të pafat herën e parë, se u dëmtova e pastaj isha me COVID për një kohë të gjatë, tani jam prapë këtu dhe tani shpresoj të shkojë sa më mbarë.

Dëmtimet më kanë ngadalësuar shumë karrierën, zhvillimin e karrierës. Unë bëra një hap të madh kur kalova te Rejnxhërs, por aty filluan problemet më të mëdha, se u dëmtova rëndë. Kam bërë disa ndërhyrje kirurgjikale. Kur ke këto probleme është e vështirë të gjesh veten me ndonjë klub e të kapësh ritmin. Por unë nuk jam dorëzuar, po stërvitem mirë dhe shpresoj të kap formën time.

Këtu kanë objektiv Europën dhe duan të fitojnë Kupën. Jemi për momentin në çerekfinale. Kemi një mundësi të mirë të fitojmë se dy skuadrat më të mira të Hungarisë janë eliminuar. Të gjithë pretendojmë më shumë, por kam pasur fatin e keq që lëndimet më kanë lënë shumë mbrapa dhe duhet të gjesh një ekip ku të vlerësojnë dhe dinë aftësitë e tua 100%. Ndaj kam ardhur këtu.

Në Turqi nuk kisha eksperiencë të mirë se sa shkova, pata dëmtime në këmbën e operuar. Dhimbjet vetëm shtoheshin, bëra injeksione por mu desh një periudhë shumë e gjatë pushimi. Kam pushuar një muaj rresht, nuk kam dhimbje për momentin dhe jam gati për hapin tjetër.

Është folur shumë edhe për kalimin në Superioren dhe të them të drejtën nuk kam diskutuar asnjëherë me drejtuesit e Partizanit dhe nuk ka pasur asgjë konkrete. U çudita shumë kur e lexova, kanë qenë vetëm spekulime mediash dhe nuk ka pasur asgjë nga ekipet e Shqipërisë.

Kampionati shqiptar për momentin është në rritje, është viti më i mirë në 10-15 vitet e fundit pasi po konkurrojnë shumë ekipe. Ka cilësi shumë lojtarësh si Balaj, Abazaj e të tjerë janë kthyer rë luajnë në Shqipëri, do të thotë që kampionati është në rritje. Nuk e di, për momentin dua të laj ende në Europë, jam ende i ri, dua të shoh veten në këto kampionate. Nuk i dihet asnjëherë, por për momentin jo.

Stiven Xherard? Ai është njeriu që në aspektin profesional, nuk kam pasur ndonjëherë trajner më të mirë në të gjithë aspektet. Kam pasur pakënaqësitë e mia se isha i ri dhe doja më shumë minuta, por i takon të kaluarës. Ai është njeriu i cili nga ana profesionale është më i miri që kam pasur mundësinë që të punoj. Kam pasur argumente më të që kërkoja të luaja më shumë, me tone të larta e të tjera, por janë harruar tanimë.

grezda-gerrard (1)

Pengu? Në Skoci jo, por në vitet kur isha atje mendoja se do të bëja hapin para në Premier Ligën angleze e besoja se kisha aftësitë, i besoj ende që i kam. Por futbolli është që duhet të bëhen të gjitha bashkë, duhet fat e vazhdimësi. Pengu ishte që nuk arrita të bëja një sezon të mirë e shkoja në Premier që ishte ëndrra ime të shkoja atje.

Mungesa në Kombëtare? Nuk kam luajtur se me trajnerin Reja, që kur ishte ai, nuk kam pasur raporte të mira, se herën e parë kur isha i ftuar, marrëdhëniet tona u ftohën. Kur shkova ishim 28 lojtarë, ishte hera e parë e tij dhe mori shumë lojtarë dhe kishim ndeshje kontrolli. Unë kisha luajtur çdo ndeshje në formacion, ne bënim 11 ndaj 11 dhe nuk më futi në asnjë prej skuadrave pa asnjë arsye. Unë vendosa të largohesha dhe nuk kam folur asnjëherë.

Silvinjo? Jam i lumtur, përderisa ka rezultate dhe ecim mirë, se Kombëtares nuk i duhet Grezda apo tjetri, Kombëtarja do të kërkojë më të mirët e të ketë rezultate që të gjithë shqiptarët duan. Për momentin nuk e mendoj fare, jam i përqendruar që të kap formën dhe kjo është kryesore. Pastaj Kombëtarja aty është, nëse mendojnë se mund t’i ndihmoj, mund të më thërrasin.

Jeta personale? Grezda është shumë i shpejtë edhe në futboll, edhe në jetën time private. Kam bërë hap të shpejtë, jam fejuar e martuar dhe jam shumë i lumtur krah gruas time”, tha ndër të tjera Grezda.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"