Barazoi Ronaldon, Mesi do fronin e “Këpucës së Artë”. Leva është shumë përpara…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 26, 2021 | 17:00

Barazoi Ronaldon, Mesi do fronin e “Këpucës së Artë”. Leva është shumë përpara…

Golat e shënuar nga Lionel Mesi kundër Elçes jo thjesht e renditin të parin në listën e golashënuesve të La Ligës, por gjithashtu e përfshijnë edhe në goleadorët e Europës. Dopieta e argjentinasit shërben për t’u renditur në vendin e katërt të renditjes për “Këpucën e Artë”, duke barazuar Kristiano Ronaldon dhe Andre Silvën me nga 36 pikë secili. Ai gjithashtu ka parakaluar Halandin, i cili ka 34 pikë.

ronaldo mesi

Lionel Mesi ka shënuar 18 gola në këtë sezon në La Liga dhe 11 prej tyre ka arritur t’i shënojë në 7 ndeshje duke gjetur rrugën e rrjetës në të gjitha. Katalanasi ka “firmosur” gjatë kësaj kohe edhe katër dopieta, shifra të cilat kujtojnë Mesin më të mirë përpara portës kundërshtare. Leo dhe Kristiano kanë nga 18 gola secili dhe duket sikur ky rivalitet vazhdon përjetësisht, edhe tani që portugezi aktivizohet në Itali me Juventusin. Por, klasifikimi për golashënuesin më të mirë në Europë udhëhiqet nga bomberi polak i Bajernit, Robert Levandovski. Ai është lideri me 52 pikë falë 26 golave që ka shënuar deri tani në Bundesligë. Pas sulmuesit bavarez renditen dy lojtarë të ligave të ulëta.

Bëhet fjalë për Kasper Junkerin e Bodo Glimt, i cili ka 40,5 pikë dhe Amahl Pelegrino, i cili ka 37,5 pikë. Sigurisht që ata do të humbasin terren, nëse sulmuesit e ligave kryesore do të shënojnë më shumë. Levandovski nuk ka arritur kurrë që ta fitojë “Këpucën e Artë”. Sezonin e kaluar ishte shumë pranë këtij trofeu të rëndësishëm individual, por ia mori në fund Çiro Imobile. Lionel Mesi është ai që e ka fituar më shpesh këtë trofe. Kapiteni i Barcelonës ka 6 “Këpucë të Arta” në palmaresin e tij personal. E fundit që ka fituar është në sezonin 2018-2019. Mesi është duke kaluar një moment shumë pozitiv, ashtu si e gjithë Barcelona. Në vitin 2021 “Pleshti” po përshtatet mjaft mirë me pjesën tjetër të skuadrës dhe ka udhëhequr katalanasit në përmbysjen e situatës në renditje. Ndeshja me PSG-në ishte për t’u harruar, por ai e di që skuadra ndodhet në një moment që ka nevojë për ndryshime të shumta.

Përgatiti: GENTJAN ALINANI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"