“Barazimi me Tomorin na ndali hovin për ‘play off’-in”, Bruka tremb Butrintin: Luajmë për të marrë pikë!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 23, 2022 | 11:05

“Barazimi me Tomorin na ndali hovin për ‘play off’-in”, Bruka tremb Butrintin: Luajmë për të marrë pikë!

Besëlidhja ka pasur ecuri pozitive në pjesën e dytë të sezonit, por barazimi dramatik me Tomorin në shtëpi sikur u preu vrullin për t’u bërë pjesë e zonës “play off”, ku mund të provonin shanset për ngjitjen në elitën e futbollit shqiptar.

BRUKA BESELIDHJA

Skuadra lezhjane, rreth mesditës së djeshme pas një seance të lehtë stërvitore, u nis drejt Sarandës për transfertën e së shtunës ndaj Butrintit. Të dyja ekipet do të luftojnë fort vetëm për fitore, kryesisht sarandjotët që janë me një këmbë në Kategorinë e Dytë.

Trajneri i Besëlidhjes, Alban Bruka, në prononcimin e dhënë për “Panorama Sport” në prag të transfertës së Sarandës, mes të tjerash u shpreh:

“Tani jemi në metrat e fundit të kampionatit. Në dispozicion kemi edhe 270 minuta për të luajtur dhe 90 minutat e radhës do t’i konsumojmë nesër (sot) në stadiumin e Sarandës ndaj Butrintit.

Gjatë gjithë javës stërvitore kemi punuar intensivisht për karikimin e ekipit nga të gjitha pikëpamjet. Theksin e stërvitjes e kemi vënë aty ku janë evidentuar më shumë mangësitë, të cilat na çuan në barazimin dramatik ndaj Tomorit të shtunën e shkuar.

Ai barazim na ndali hovin drejt zonës ‘play off’, për të cilën kishim synime të qarta.

Tani jemi të përqendruar tërësisht te transferta e radhës ndaj Butrintit në stadiumin e Sarandës, ku do të luftojmë për fitore. E kemi të qartë se ndeshja ndaj Butrintit do të jetë mjaft e fortë dhe e vështirë, pasi vendasve vetëm fitorja u vlen.

Në të kundërt, e kanë shumë të vështirë mbijetesën. Duke parë shkallën e vështirësisë të kësaj ndeshjeje dhe pozicionin aspak të favorshëm tonin, do të mundohemi që ne, stafi dhe ekipi, të shkrijmë mundësitë tona për të marrë pikë në Sarandë”.

PRENG GJIKOLA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"