Ballshiotët festë me birra para “demave”, Dovedan: Luajmë për fitore

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 6, 2020 | 13:58

Ballshiotët festë me birra para “demave”, Dovedan: Luajmë për fitore

Pas suksesit në Kupë me Tiranën, dje ballshiotët kanë pasur tjetër rast për të festuar. Datëlindja e Edison Ndrecës është bërë shkas që dje disa nga titullarët e ekipit të festonin me birra. Ndreca është një nga pikat e forta të Bylisit këtë sezon dhe dje ka mbushur 26 vjeç. Ai ka zgjedhur që të kalojë momente gëzimi në plazh, ku nga fotot shihet duke festuar me disa nga shokët e ekipit, Goxha, Hidi, Ujka dhe Shkalla.
ndreca
Ballshiotët synojnë të rikthehen në shtëpi me rezultat pozitiv ndaj kampionëve në fuqi të Shqipërisë, Partizanin, që është ndryshe nga sfidat e tjera të këtij sezoni, pasi tashmë të kuqtë nuk janë më ajo skuadër që lufton për titullin dhe Kupën, por u ka mbetur vetëm Europa nga kampionati. Bylisi prej ditësh është i përqendruar te sfida me të kuqtë, e cila luhet sot në Ballsh, në orën 17:45. Në këtë takim, Bylisi vjen pas humbjes mjaft të kontestuar në kampionat me Kukësin.
veljko dovedan
Trajneri Dovedan në prononcimin që dha një ditë para sfidës për “Panorama Sport”, në fillim u shpreh: “Partizani është ekipi kampion në fuqi, por ne e vlerësojmë dhe e respektojmë si kundërshtar radhe. Personalisht e kam në mentalitet që çdo skuadër e vlerësoj, kudo ku luajmë, për më tepër në Superiore ka pak diferenca, por edhe për faktin se jemi shumë afër me pikë. Bylisi vjen në këtë ndeshje kampionati pas humbjes me Kukësin, ku ndoshta kemi merituar edhe më shumë, po të bazohesh te loja dhe rastet, por futbolli kështu e ka. Tani duhet të përballemi më së miri me kundërshtarin e radhës dhe pse jo, të fitojmë”.
bylis-partizani
Bylisi është si një “mace e zezë” për të kuqtë. Ballshiotët i kanë hequr titullin Partizanit në vitin 2015, por u kanë marrë edhe dy herë pikë këtë sezon në fushën e tyre, në fazën e parë, në “Selman Stërmasi” 1-1 dhe në “Air Albania” 2-2. Megjithatë, trajneri Dovedan thotë se përballjet ndryshojnë nga njëra-tjetra. “Luajmë me Partizanin, që nuk na ka mundur asnjëherë, por takimet janë ndryshe nga mënyra e përgatitjes dhe jo vetëm. Çdo ndeshje ka specifikë të veçantë, kështu që edhe ky takim na gjen ndryshe, pasi Partizani është më lart dhe gara është në fazën finale. Ne do të hyjmë në fushë të fitojmë”, përfundoi trajneri Dovedan.

NDRECA

ERJON SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"