Bajerni kërkon Marsialin, Junajtid: Na jepni Levën…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 3, 2018 | 19:16

Bajerni kërkon Marsialin, Junajtid: Na jepni Levën…

Bajerni i Mynihut po kërkon të transferojë në “Allianz Arena” francezin Antoni Marsial, që luan për Mançester Junajtid. 22-vjeçari duket se nuk është në planet e trajnerit portugez Hose Murinjo që do ta gjobisë mesfushorin për mosparaqitje në stërvitje. Marsial ishte pranë gruas së tij që lindi një fëmijë në javën e kaluar.

sport-preview-Robert-Lewandowski1

Lojtari nuk u paraqit në stërvitje për tetë ditë dhe tani klubi duket se do ta detyrojë atë të paguajë 180 mijë paund. Për Marsialin, Junajtid kërkon 70 milionë euro, ndërsa Bajerni nuk kërkon të shpenzojë më shumë se 50 milionë për të. Klubi anglez po mendon edhe në një alternativë të dytë.

Sipas “The Sun”, “djajtë e kuq” u kanë kërkuar bavarezëve një shkëmbim me sulmuesin polak, Robert Levandovskin plus para të thata. Trajneri Murinjo është një tifoz i vjetër i bomberit polak. Por Marsial nuk kërkon të largohet nga Premier liga. Momentalisht, palët janë ende në bisedime, edhe pse një shkëmbim i tillë është thuajse i pamundur.

Kujtojmë që drejtuesi bavarez, Karl Hainc Rumenige, deklaroi para dy ditësh që lojtari nuk do të largohet edhe nëse vjen një ofertë prej 150 milionë eurosh. “Bajerni nuk do të shesë asnjë nga yjet e tij, ne ndjekim një politikë të ndryshme nga ajo e disa klubeve më të mëdha në Europë”, deklaroi Rumenige në një intervistë për të përditshmen gjermane “Tz”. Fjalë të qarta nga bosi i kampionëve të Gjermanisë që lë si opsion vetëm blerjen direkte të lojtarit pa përfshirë asnjë shkëmbim.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"