“Askush nuk i lëshon lojtarët e mirë tani”, Mërgjyshi: T’i lëmë numrat, s’kam cilësi në stol

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 21, 2019 | 10:15

“Askush nuk i lëshon lojtarët e mirë tani”, Mërgjyshi: T’i lëmë numrat, s’kam cilësi në stol

Peizazhi” fierak ësh të më shumë “under ground”, teksa ka edhe një Mërgjysh me duart e kryqëzuara për atë që po ndodh dhe atë që mund t’i ofrohet në merkato. Apolonia ka pozita të shëndosha për momentin, por merkatoja e janarit e “ka dimëruar” skuadrën së paku këto 5 sezone që luan në të Parën. Këtu fillon “pikiata” e fierakëve, pas dhjetorit, teksa ata tregohen komercialë, shesin lojtarë me vlerë dhe ofrojnë çfarë të gjejnë “rrugës”. mergjyshi

Ceka është larguar përfundimisht, Ofori me një këmbë në aeroport, Sharavollit të dëmtuar Tomori “i shkel syrin”. Brenda grupit ka edhe të pakënaqur nga mosaktivizimi, ndërsa trajneri Mërgjyshi mbetet strateg i fushës dhe menaxhimit të situatave të tilla delikate, siç e vërteton intervista enkas për gazetën tonë.

Mërgjyshi, sa ju ka shërbyer humbja ndaj Lushnjës?

Në fakt, nuk na ka shërbyer, por na ka dëmtuar, na ka ulur entuziazmin e atmosferës përpara ndeshjes. Por jo çdo humbje vjen për keq. Ndaj ekipeve rivale dhe eksperte si Lushnja duhet shumë përqendrim dhe shumë cilësi për t’i mundur. Duhet ta lëmë pas sa më shpejt atë situatë të keqe, sidomos pjesën e dytë, ku shfaqëm shumë probleme në lojë. Një ndeshje nuk i ngjan një tjetre dhe tani duhet të kthehemi te rezultati pozitiv.

Derbin, sipas jush, e fitoi Lushnja apo e humbi Apolonia?

Sipas meje, mendoj se më tepër e humbëm ne. Ishim superiorë në fillim të lojës, kaluam në avantazh dhe më pas bëmë një veprim naiv, prej të cilit na u shkërmoq gjithçka që patëm ndërtuar. Ata barazuan me penallti dhe ne më pas nuk hymë më në lojë. Pa ulur meritat e Lushnjës, them se më shumë ishte humbja jonë se fitore e tyre.

Si është gjendja e skuadrës në prag të ndeshjes me Turbinën?

Përpos problemeve që kemi pasur në gjendjen fizike te disa lojtarë, pjesa tjetër është e gatshme. Jemi munduar ta rikthejmë besimin në skuadër për të kuptuar që një humbje në kampionat nuk është fundi i botës dhe objektivave, gara vazhdon. Më mirë që ndodhi tani, sesa në një moment kur mundësitë e rikuperimit do të ishin më të pakta.mergjyshi

K.Prifti, Ceka e Ofori janë të larguar; Sharavolli, Branica e Smaçi të dëmtuar. A mundet skuadra me kaq firo të qëndrojë në këto nivele?

Të gjithë kanë qenë lojtarë organike, pjesa dërrmuese titullarë në momente të caktuara. E ndiejmë mungesën, pse ta fshehim. Në ndeshje të veçanta as 3 zëvendësime nuk bëjmë dot, si edhe me Lushnjën, se nuk kemi cilësi në stol, le t’i lëmë numrat. Kjo situatë duhet të na vërë në lëvizje të gjithëve, sidomos drejtuesit. Duke pritur rikuperimin e lojtarëve të dëmtuar, edhe pse nuk shpresoj shumë, besoj se do të ndërhyjmë në merkato jo për lojtarë sa për numër, por ata që na duhen.

A ka predispozitë klubi të bëjë merkato sipas nevojave të skuadrës?

Mendoj se po. Kam vënë re që klubi është në tratativa për përforcimin e skuadrës. Problem është mundësia që ofron tregu në këtë periudhë. Është e vështirë dhe gati e pamundur të gjesh lojtarë cilësorë, ndaj kam thënë që nuk pres shumë në janar, jo se nuk kam besim te përpjekjet e klubit. Asnjë ekip nuk lëshon futbollistë cilësorë në këtë çast të merkatos. Mbetet të “gjuajmë” ndonjë huazim ose ndonjë lojtar për numër. Tregu i huaj nuk ka kurrë garanci për cilësi.

Për t’u kthyer te ndeshja me Turbinën…

Pa shumë fjalë e deklarata, do të luajmë vetëm për fitore, pa menduar asnjë tjetër rezultat alternativ.

BUJAR RAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"