Arbëri: Ismailaj një lider, fundi nuk ishte “kostum” për ne

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 21, 2022 | 21:47

Arbëri: Ismailaj një lider, fundi nuk ishte “kostum” për ne

Klodian Arbëri “skanon” Tomorin. Pas fitores së dytë radhazi në kampionat dhe një jave pushim, trajneri analizon me detaje skuadrën.

Arberi

Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, ai flet edhe për programin e ndalesën e garës, “rilindjen” e Ismailajt, por dhe te përforcimet gjatë merkatos së dimrit

. Dy fitore radhazi në kampionat. I kënaqur me reagimin e ekipit?

Asnjëherë nuk e kisha humbur besimin te skuadra ime dhe forca e saj. E dija që do të shpërbleheshim me dy fitore radhazi, që na shkëputën nga fundi i tabelës. Që ta themi hapur dhe shkoqur, vendi i parafundit nuk ishte “kostum” që nuk i shkonte Tomorit.

Pas një jave pushim, nesër (sot) do të rinisni nga puna. Sa ju shërben ndërprerja e kampionatit?

Me një muaj ndalesë të garës, pushimi njëjavor ishte më se logjik. E megjithatë, ndërprerja nuk na vlen fort. Ne vijmë pas fitoreve radhazi dhe me rritjen e moralit dhe entuziazmin, skuadra premtonte spektakël në ndeshjen e radhës.

Megjithatë, ne do ta mbajmë gjallë frymën optimiste, pasi jo vetëm futbollistët vijnë më të karikuar dhe të freskët në aspektin fizik dhe atë mental, por edhe se deri më 11 dhjetor kemi programuar një minifazë që do ta shoqërojmë me miqësore, për të qenë sërish aty ku e lamë, pra në formën tonë maksimale.

Keni rigjetur një futbollist me vlera, si mesfushorin Ismailaj. A është ai lideri i Tomorit?

Është një futbollist me vlera dhe me bagazh të lartë teknik. Është rikthyer për të bërë jo vetëm liderin, por edhe të shënojë gola me vlerën e fitores. Qysh në momentin kur e mora te Tomori gjatë periudhës së verës, ia njihja mirë potencialin. Me formën që po shfaq, mund ta përmbledh me këto fjalë peshën e Ismailajt te Tomori. Është një bonus për skuadrën ky futbollist, nga i cili të gjithë presim që të bëjë diferencën edhe në të ardhmen.

Do të rifilloni kampionatin ndaj Flamurtarit kryesues. Një ndeshje për t’u shijuar, duke pasur parasysh se Tomori tashmë është rikthyer!

Është ende herët për të folur. Për të shkuar deri më 11 dhjetor, do të na duhet që të punojmë me një “marsh” më shumë. Ajo që ka një të vërtetë të pamohueshme, është fakti se përballja me Flamurtarin do të jetë vërtetë një sfidë për t’u shijuar. Për fat të keq, do të luhet pa tifozë…

Edhe tri javë për t’u mbyllur faza e parë. Keni projektuar përforcime në merkaton e dimrit?

Jemi duke punuar edhe për merkaton. Do të plotësojnë ndonjë boshllëk që mund të kemi në skuadër. Por që të jem i sinqertë, unë i besoj maksimalisht grupit që kam ndërtuar vetë. I kam dhënë gjithë mbështetjen time. Më ka impresionuar, pavarësisht se kanë qenë faktorë të jashtëm dhe kryesisht gjykimi, i cili na rrëzoi përkohësisht në fund të tabelës. Gjithsesi, për fazën e dytë do të jemi një Tomor akoma më solid në lojë dhe premtues në rezultate, sepse do të kemi edhe një stol të fortë me futbollistë të barabartë në formacionin titullar.

EDI SPAHIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"