Anulohet Europiani, Ruli: Është kaos, shkoi dëm djersa dhe mundi i sportistëve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 27, 2020 | 22:53

Anulohet Europiani, Ruli: Është kaos, shkoi dëm djersa dhe mundi i sportistëve

Në orët e vona të së enjtes së kaluar, atletika pa të anulohej një tjetër veprimtari madhore siç është Kampionati Europian, i planifikuar që të mbahej gjatë muajit gusht në Paris. Një tjetër goditje për “mbretëreshën” e sporteve pas shtyrjes së Lojërave Olimpike për në vitin e ardhshëm.

Gjergj Ruli

E gjitha kjo situatë e shkaktuar nga pandemia e Koronavirusit. Gjergj Ruli, presidenti i Federatës Shqiptare të Atletikës, në një prononcim për “Panorama Sport” shprehu zhgënjimin e tij për anulimin e Europianit: “Të enjten në mbrëmje na erdhi mesazhi nga Fedarata Europiane dhe nga organizatorët e Parisit, ku njoftuan për anulimin e këtij aktiviteti, për shkak të përshkallëzimit të situtës me pandeminë Koronavirus.

Në datat 7-8 maj do të vendoset data e saktë se kur do të mbahet, por mbetet për vitin tjetër. Kjo është një humbje shumë e madhe pasi të gjithë ishim përgatitur për këtë event. Një kaos i vërtetë, duke parë edhe situatën me sponsorët, të cilët kanë dhënë para për vitin 2020. Të gjithë sportistët kishin ndërtuar fazën përgatitore që prej nëntorit, ndërsa e gjithë djersa dhe puna shkon dëm. I gjithë komuniteti i atletikës është shumë i demoralizuar nga kjo gjendje”, deklaroi Ruli.

smajlaj-burraj-ruli

Më tej kreu i FSHA-së tregoi se ky do të ishte një event i veçantë dhe me pritshmëri të larta për Shqipërinë: “Ne do të merrnim pjesë për herë të parë në historinë tonë me pesë atletë në Kampionatin Europian. Luiza Gega dhe Izmir Smajlaj ishin përgatitur për medalje dhe kjo ishte një ëndërr e shuar për ta. Është vërtet për të ardhur keq, pasi po përfundon muaji prill dhe këta sportistë janë stërvitur pa u ndalur për asnjë çast, duke bërë sakrifica të mëdha.

Luiza në Kenia, ndërsa Izmiri ka më shumë se një muaj e gjysmë në mal”. Në fund Ruli flet për kalendarin e garave të mbetura dhe shpreson në zhvillimin e eventeve ballkanike: “Tani na kanë mbetur aktivitetet ballkanike, të cilat ishin planifikuar në muajt qershor-korrik, ndërsa Federata Ballkanike ende nuk ka marrë një vendim, por që mund të spostohen në vjeshtë. Jemi çdo ditë në kontakt dhe kemi kërkuar që të bëhen edhe pa tifozë, pasi dëshirojmë që këto gara të zhvillohen. Tani pritet vendimi i bordit”, përfundoi prononcimin e tij presidenti i atletikës shqiptare.

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"